Përplasja e re mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë përmasa të ashpra pas deklaratave të fundit në lidhje me protestën që u mbajt në Tiranë.
Vetëvendosje ka akuzuar Ramën se ka qenë “një nga lobuesit kryesorë” për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, duke kujtuar madje se “ai kishte ardhur me helikopter në Kosovë për t’i bindur deputetët që të votonin për këtë gjykatë”.
Sipas kësaj partie, përpara se të dalë në protestë, Rama duhet të tregojë “minimumin e pendesës për qëndrimet e tij të gabuara në të kaluarën”.
“Edi Rama duhet të kërkojë falje për qëndrimin që ka mbajtur ndaj Gjykatës Speciale, e cila sot po gjykon çlirimtarët e Kosovës. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe OKB-së, duhet ta ngrejë këtë çështje në instancat ndërkombëtare, jo vetëm në sheshin ‘Skënderbej’,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike thonë se këto sulme janë pjesë e një fushate të Ramës ndaj Albin Kurtit, me qëllim që ta paraqesë këtë të fundit si “anti-UÇK”.
Ndryshimi i papritur i Edi Ramës
Publicisti Milaim Nela ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me protestën në Tiranë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Në një prononcim Nela e quan këtë nismë “hipokrizi politike” dhe “lojë të rrezikshme me ndjenjat e shqiptarëve”.
Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të Ramës ndaj Thaçit është i pashpjegueshëm.
“Se kah i ka ardhë Edit kjo dashuri për Thaçin këtë vetëm Edi mund ta dijë, sepse Hashimi, nëse nuk është i shantazhuar, nuk besoj se e di. Edi Rama, e kam thënë shumë herë, pas Enver Hoxhës është njeriu që më së shumti e ka dëmtuar Kosovën.”
Nela kujton se Rama ishte ndër ata që bindën Thaçin të miratonte Gjykatën Speciale – një trupë që, sipas tij, “gjykon viktimën e jo xhelatin”.
“Në atë kohë edhe bufi e dinte se nëse miratohej, Thaçi do të ishte i pari që do të plasej brenda, e realisht ashtu ndodhi! Rama vazhdon sot e kësaj dite të punojë në dëm të Kosovës e pro Vuçiçit të Serbisë,” deklaron Nela.
Publicisti thekson se Rama ka ndërruar strategji sipas interesave të tij politike.
Ai përmend disa grupe që, sipas tij, po e sulmojnë Kurtin.
“Aleksandër Vuçiqi, që e quan Kurtin ‘shtypës të serbëve të veriut’; analistë e gazetarë që kanë krijuar narrativën ‘anti-amerikane’ ndaj qeverisë së Kosovës; dhe opozita në Kosovë që beson se vetëm me ndihmën e Ramës mund të kthehet në pushtet.”
Nela shprehet i habitur se si mund ta mbrojë UÇK-në ai që e ka dëmtuar Kosovën.
“UÇK-në do ta mbrojë Rama që krijoi ‘Ballkanin e Hapur’ pa Kosovën; Rama që në sulmin terrorist të Banjskës mbajti anën e Vuçiçit; Rama që bëri avokatinë e Serbisë kur ajo rrëmbeu policët e Kosovës; Rama që nuk hoqi dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve; Rama që kundërshtoi Rrugën e Kombit dhe që sot lufton për Asociacionin më shumë se vetë Vuçiçi,” nënvizon Nela.
Më tej, ai liston disa hapa që, sipas tij, do ta tregonin sinqeritetin e Ramës ndaj Kosovës.
“Të punojë për njohjen e Kosovës nga 5 vendet që ende nuk e kanë njohur. Të kërkojë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës. Të miratojë një rezolutë kundër gjenocidit serb. Të hapë një kanal të RTSH-së për krimet e Serbisë. Të heqë doganat për shtetasit e Kosovës. Të hetohen vrasjet e Ali Ukës, Ahmet Krasniqit dhe Ilir Konushevcit. Të ndalojë gjuhën përçmuese ndaj pushuesve nga Kosova. Të punojë kundër Asociacionit dhe ta denoncojë në arenën ndërkombëtare,” shpjegon publicisti Nela.
Në përfundim, Nela e cilëson protestën si “lojë politike që dëmton UÇK-në dhe ndjenjat e shqiptarëve”.
“Protesta në ‘mbrojtje’ të UÇK-së është test për të kuptuar kush janë soroistët më të zellshëm, nga presidentja populiste e Kosovës deri te kryetari i Prishtinës që beson se me turbofolkun e Ramës do marrë vota. Kjo protestë ndihmon Edi Ramën dhe të adhuruarit e tij, por jo interesin e shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës. Heronjtë nuk mbrohen me protesta turbofolk, por me beteja diplomatike, politike e juridike. Këto lloj protestash bëjnë efektin e kundërt dhe i fundosin ata,” përfundon publicisti Milaim Nela.
Rama i kërcënuar nga Kurti
Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti shprehet se sulmet e Ramës vijnë pasi ky i fundit ndjehet i kërcënuar nga Kurti.
“Sulmet e Edi Ramës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një strategjie të vjetër për ta dobësuar zërin e pavarur të Kosovës dhe për ta mbrojtur politikisht Hashim Thaçin e rrethin e tij. Rama ndjehet i kërcënuar nga qasja e Kurtit, e cila sfidon modelin e tij të pushtetit të lidhur me oligarkinë dhe interesat e jashtme,” shprehet Mehmeti.
Sipas tij, Kurti shihet si pengesë nga Rama për të realizuar planet e tij në Kosovë.
“Pas kësaj fshihet frika se me forcimin e Kurtit bie ndikimi i Tiranës në politikën e brendshme të Kosovës. Rama kërkon të ruajë kontrollin dhe të mbajë gjallë lidhjet me elitën e vjetër politike të Kosovës, më konkretisht me opozitën aktuale që i ka shërbyer si urë për interesa personale e rajonale. Këto sulme, në fakt, janë dëshmi se Kurti po u prish planet atyre që për vite e kanë parë Kosovën si terren për pazare politike,” përfundon Faton Mehmeti.
Ndryshe, vlen të theksohet se as Edi Rama nuk mori fare pjesë në protestën e organizuar nga OVL-UÇK në Tiranë.
Të tjera
Mos e rreziko armëpushimin në G@zë
A ndikon dielli në psikikën tonë?
E akuzuan se e kafshoi serbin dhe fitoi padrejtësisht, Meriton Karaxha: Gënjeshtër, e rraha keq dhe do ta nokautoja