Nela me akuza të forta: Klani Abdixhiku po e dëmton LDK-në

Publicisti shqiptar Milaim Nela ka reaguar ashpër pas Kuvendit të fundit të LDK-së, duke e cilësuar atë si një ditë të rëndë jo vetëm për partinë, por edhe për demokracinë në Kosovë.

Ai shprehet i shqetësuar për fatin e LDK-së, të cilën e konsideron forcën e vetme të djathtë në vend, dhe akuzon “klanin Abdixhiku” për shkatërrimin e saj.

Nela thekson se nuk është pjesë e asnjë grupimi politik dhe se qëndrimet e tij burojnë nga bindje personale e interes kombëtar. Sipas tij, dobësimi i LDK-së po e lë Kosovën pa opozitë reale, çka rrezikon abuzimin me pushtetin nga forcat qeverisëse.

Shkrimi i plotë:

Miq të nderuar!

Dje në fakt kisha ba në plan të dal me një shkrim në përkujtim të 10 ditëve të LAVDISHME të Kongresit Historik të Lushnjes por zhvillimet në LDK më detyruan ta shtyj për një ditë tjetër!

***

Dje kam shkruar për Kuvendin (tragjik) të LDK-së që ishte tema e ditës në Kosovë!

Megjithëse i lindur dhe shkolluar në Shqipërinë Londineze unë shkruaj për Kosovën se Kosovën e kam në gjak e në gen!

Shkruaj për Kosovën se gjaku i të parëve të mi asht derdhë për Kosovën!

Shkruaj për Kosovën se jam rritë me Kosovën dhe dhimbjet e saj që kur jam ba të kuptoj bisedat e ODËS së BURRAVE, gjeografinë dhe historinë e saj që është gjeografia e historia jonë!

Shkruaj për Kosovën se pavarësisht faktit ku kam lindë e ku jetoj ndihem shqiptar Kosove po aq sa ndihem shqiptar në tërësi!

E prandaj nga fokusi im modest nuk i ndaj kurrë ngjarjet që ndodhin në Kosovë me ato që ndodhin në trojet e tjera etnike shqiptare!

Unë mund të jem i pasaktë në ato që shkruaj por shkrimi dhe analiza ime bazohet ne ato që unë shoh dhe vërej nga jashtë pa qenê protagonist dhe akter i ngjarjeve apo subjekteve të brendshme të Kosovës!

Bindjet e mia nuk janë bindje të çastit apo konjukturave të momentit! Ato janë formësuar dhe skalitur (edhe pa qene i vetëdijshem) që në vitet 70′ të shekullit të kaluar rreth “Oxhakut të Odës së Burrave” që për mua ka qenë akademia e parë dhe më e rëndësishmja e edukimit tim politik dhe njerëzor!

E këtu ndoshta fillon keqkuptimi i miqëve të kësaj faqeje!

Dua të garantoj çdo mik real apo virtual të kesaj faqeje e të shkrimeve të publikuara këtu se ato çfarë shkruaj apo mbroj unë këtu janë bindje dhe mendime veç të miat!

Nuk jam pjese e asnjë grupimi apo organizimi politik apo jo politik!

Besoj se miqtë e mi e kanë vërejtur në këto vite që kam qenë aktiv në këtë faqe apo më gjerë se unë NUK bëj kompromis me idetë dhe bindjet e mia. E kjo më ka kushtuar jo pak! Më ka bërë armiq dhe kundërshtarë nga të gjitha krahët e spektrit politik e mediatik por mbi të gjitha më ka lënë të ekspozuar dhe pa mbrojtje!

Duke ju referuar shkrimit tim të djeshëm dua t’i garantoj miqtë e mi shqiptarë të Kosovës e sidomos ata më të cilët na bashkojnë bindjet e djathta e rugoviste se nuk jam pjesë e asnjë grupimi apo axhende siç është aluduar nga reagimet e djeshme që nuk janë të pakta!

Kam shkruar me shqetësim për ato çka po ndodhin me LDK-në sepse LDK ishte partia e vetme e djathtë në Kosovë!

Jam shqetësuar për LDK-në sepse asnjë forcë tjetër politike brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka kontriboar për çeshtjen shqiptare sa LDK e Kosova nuk e ka luksin ta humbë këtë parti të cilën po e fundos klani Abdixhiku!

Jam i shqetësuar se Kosova dhe forca udhëheqëse LVV po mbeten pa opozitë reale pasi partitë e tjera janë parti klanesh që nuk kanë mundur deri me sot të ndahen nga krimi e hajnia mbi 20 vjeçare në Kosovë!

E kur pushteti mbetet pa opozitë fillon revanshi e abuzimi me pushtetin!

Kosova akoma është në konsolidim e shtetndertim e nuk e ka luksin të mbetet pa opozitë!

Busulla ime edhe nëse gabon si orientim dhe destinacion të përhershëm ka interesin kombëtar e çeshtjen shqiptare!

E keshtu do mbetem deri ditën që do shuhem e nuk do jem më!

Me respekt dhe përulje ndaj jush!