Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u mburr sot se ushtria e tij goditi Rripin e Gazës të dielën me 153 tonë bomba, duke pranuar në thelb se ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit, transmeton Anadolu.
Duke folur në hapjen e sesionit dimëror të parlamentit izraelit, Knesetit, Netanyahu u përball me ndërprerje të përsëritura nga deputetë të opozitës, të cilët protestuan ndaj politikave të qeverisë së tij dhe zgjatjes së qëllimshme të luftës në Gaza.
“Gjatë armëpushimit, ranë dy ushtarë… Ne i goditëm me 153 tonë bomba dhe sulmuam dhjetëra objektiva në gjithë Rripin e Gazës”, tha Netanyahu.
Zyra mediatike e qeverisë së Gazës raportoi 80 shkelje të armëpushimit nga Izraeli që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së sponsorizuar nga SHBA-ja më 10 tetor, duke rezultuar në 97 palestinezë të vrarë, përfshirë 44 vetëm të dielën, dhe 230 të tjerë të plagosur.
Tel Avivi pretendoi se Hamasi kishte sulmuar forcat e tij në qytetin jugor Rafah. Grupi palestinez i mohoi këto akuza dhe riafirmoi përkushtimin e tij ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Marrëveshja e armëpushimit u shpall më 10 tetor, bazuar në një plan me faza të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Faza e parë parashikonte lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Plani gjithashtu parasheh rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale izraelite ka vrarë mbi 68.200 persona dhe ka plagosur më shumë se 170.200 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Të tjera
Gjërat që çiftet e lumtura bëjnë çdo ditë
Policia serbe bastis shtëpinë e zyrtarit të AAK-së në Tërnoc
Pesë maska për fytyrën që mund t’i përgatisni fare thjeshtë