Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Ylber Hysenit, Afrim Gashit dhe Melihate Gashit për dallavere me pronën milionëshe në Veternik.
Hyseni akuzohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimet e rreme”. Gjithashtu, në bashkëkryerje me Afrim Gashit, akuzohen për “Mashtrim në bashkëkryerje e në vazhdimësi” dhe “Falsifikim i dokumentit në bashkëkryerje”. Afrim Gashi dhe gruaja e tij, Melihate Gashi, gjithashtu akuzohej për veprën penale “Deklarimet e rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hyseni, sipas Prokurorisë vazhdon të jetë në arrati, dhe ndaj tij është lëshuar letër-rreshtim nga Gjykata dhe kërkesë për letër-rreshtimit ndërkombëtar nga Gjykata Themelore Prishtinë.Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi” që nga viti 2021, në vazhdimësi ka publikuar hulumtime, për pretendimet për dallaveret në këtë pronë.
Për veprën penale “Deklarimet e rreme” akuzohet edhe Afrim Gashi, pasi thuhet se në prani të noterit jep deklarim të rremë se Zojë Hyeni nuk ka trashëgimtarë të tjerë dhe se Ylber Hyseni është i vetmi trashëgimtar i saj.
Po për këtë vepër penale, akuzohet edhe Melihate Gashi, pasi edhe ajo në cilësinë e dëshmitares thuhet se para noterit publik jep deklarim të rremë se Ylber Hyseni është i vetmi trashëgimtar i vetëm i Zojë Hysenit.
Me këto veprime, secili veç e veç, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Deklarimet e rreme” nga neni 384, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Ndërsa, Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi akuzohen se nga janari i vitit 2021 në vazhdimësi deri në vitin 2024, në lagjen “Veternik” në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur fakte arrijnë t’i mashtrojnë të dëmtuarit, duke qenë në njohuri që tani e ndjera Zojë Hyseni nuk kishte prona të cilat ia kishte lënë babai R.P., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm arrijnë të sigurojnë dokumentin e falsifikuar Reshenje Broj 461/61, të datës 7 gusht 1961 të cilën e përdorin në emër të saj në procedurën kontestimore me ç’rast fitojnë pronësinë për 9.76.27 hektarë në Veternik, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Pas kësaj, Prokuroria thotë se së bashku paraqiten para noterit Sefadin Blakaj duke hapur trashëgiminë, deklarojnë rrejshëm se i pandehuri Hyseni është trashëgimtar i vetëm duke ia mundësuar atij fitimin e pronësisë.
“Pas përfundimit të procedurës në Drejtorinë e Kadastrit– Komuna Prishtinë dhe marrjen e fletës poseduese, fillojnë me parcelizimin e paluajtshmërisë sipas kërkesës së qytetarëve, me ç’rast i shtyjnë të njëjtit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre edhe pse kanë qenë në dijeni se procesi i fitimit të pronës ka qenë i përfunduar me dokumentet të falsifikuar dhe dëshmi të rreme, ku i pandehuri Ylber edhe pse pronar i tokës përfiton 114,135€, ndërsa i pandehuri Afrim si i autorizuar për të shitur parcelat përfiton në mënyrë të kundërligjshëm mbi 3,275,184, duke iu shkaktuar dëm material në shkallë të madhe të dëmtuarve të listuar si në propozim të kësaj aktakuze”, thuhet në aktakuzë.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje e në vazhdimësi”, nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Gjithashtu, Hyseni e Gashi akuzohen se më 19 korrik 2025, duke e ditur se dokumenti Reshenje broj 461/61, është i falsifikuar, me qëllim që të shërbejë si provë në procedurë, përmes postës DHL e dorëzojnë atë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi duke e ditur se po hetoheshin për “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, mundohen që ta përdorin si dokument origjinal duke e dorëzuar si provë lidhur me çështjen penale. Ky dokument, i cili pas verifikimit ka rezultuar se nuk është i origjinal dhe as nuk është i dorëzuar nga shteti serb në rrugët zyrtare.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit në bashkëkryerje” nga neni 390, par.2 lidhur me par.1, si dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Pikërisht për këtë zarf me postën DHL, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postës “DHL Serbia”, duke mbyllur hetimet dhe duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.
Me këto veprime të të akuzuarve, sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar është mbi 3 milionë euro.
Në arsyetimin e aktakuzës, ndër të tjera thuhet se Ylber Hyseni ka shfrytëzuar moshën e nënës tanimë të ndjerë, për të cilën “Betimi për Drejtësi”, kishte raportuar se ka vdekur gjatë procedurave.
Sa i përket aktgjykimit të Supremes, thuhet që është bazuar në dokumente që rezultojnë të jenë të lëshuara në ditën e shtunë dhe të diel. Fakte këto, që sipas Prokurorisë, tregojnë për fabrikimin e dokumenteve në rastin konkret të destinuara për fitim të pronës me dokumente të falsifikuara.
Gjithashtu, si prova janë bashkëngjitur edhe ekspertizat e dokumentit Resenje, ku ndër të tjera thuhet se krahasuar me mostra tjera të dokumenteve të marra atëkohë, del se është shkruar me makinë tjetër shkrimi dhe ka mospërputhje tjera si tek shkronja X, numrat si 3 dhe 8, dhe hapësirat mes disa fjalëve.
Edhe i akuzuari Afrim Gashi dhe gruaja e tij Melihate Gashi, thuhet se kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa Ylber Hyseni gjendet në arrati dhe për të njëjtin është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar.
Në aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohet në mënyrë të përhershme dobia pasurore e përfituar me vepër penale.
Dëshmia e vëllezërve dhe motrës se Ylber Hysenit:
H.H., vëllai i Ylber Hysenit, në deklaratën e dhënë në Prokurori, ndër të tjera thuhet se ka thënë nuk ka qenë në njohuri dhe nuk është në njohuri që vëllai i tij posedon në emër të tij 9 hektarë tokë.
“Personin Afrim Gashi e njeh pasi që është shok i vëllait të tij dhe Afrimi sipas dëshmitarit i ka njohur për së afërmi si familje, pasi që kishte ndërruar jetë nëna Zoja i njëjti kishte qenë së bashku me Milihatin gruan e tij për të pa”, thuhet në aktakuzë. Kurse, për pasurinë e vëllait të tij, ai ka deklaruar se po e merr vesh nga Prokuroria dhe nuk ka qenë në dijeni gjyshi i tij Rr.P., ka poseduar tokë në Prishtinë dhe as që dëshiron të dijë për atë çështje.
Nga deklarata e motrës se tij, S.H., thuhet se nuk e ka njohur gjyshin Rr.P., ndërsa nuk është në dijeni se nëna e saj, ka pretenduar në ndonjë pronë në Prishtinë. E as nuk është në dijeni se vëllai i saj ka në pronësi 9 ha tokë të trashëguar nga nëna Zojë Hyseni.



Të tjera
Aktivistja Greta Thunberg arrestohet në protestën pro-palestineze në Londër
Pse deti na bën të lumtur?
AUV asgjëson 2064 kilogramë mish pule