Një dron goditi një anije ndihmash për Gazën në Tunizi

Një dron goditi një anije ndihmash për Gazën në Tunizi

Një grup aktivistësh ndërkombëtar që synon të dërgojë ndihma në Gaza me një flotilje thotë se një nga anijet e tij u godit nga një dron, ndërsa ishte ankoruar në Tunizi. Autoritetet tuniziane mohuan që ishte përfshirë një dron dhe thanë se po hetojnë një zjarr që shpërtheu në një jelek shpëtimi mbi anije.

Flotilja ‘Globale Sumud’ tha në një deklaratë gjatë natës se një anije e njohur si ‘Anija e Familjes’, që udhëtonte nën flamurin portugez, “u godit nga një dron”, por askush në bord nuk u lëndua.

Pamjet e postuara në rrjetet sociale të grupit tregonin një shpërthim drite që u përplas mbi njërën nga anijet dhe shkaktoi atë që dukej si zjarr.

Grupi, flotilja e të cilit ishte planifikuar të nisej nga Tunizia të mërkurën, pritet të mbajë një konferencë shtypi në Tunis të martën pasdite për atë që ndodhi. Ai tha se incidenti nuk do të pengojë misionin e dërgimit të ndihmave në Gaza.

Flotilja është pjesë e një lëvizjeje të gjerë që synon të dërgojë ndihma në Gaza me anije.

Anija e Familjes po transportonte anëtarët më të njohur të flotiljes, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe ish-kryetaren e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau. Ende nuk është e qartë kush ndodhej në bord gjatë sulmit të raportuar.

Ministria e Brendshme e Tunizisë tha në një deklaratë se raportimet për një sulm me dron nuk qëndrojnë, dhe se njësi të specializuara sigurie po hetojnë pasojat e një zjarri në një jelek shpëtimi.

Ushtria izraelite dhe qeveria izraelite nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Flotilja, të cilën aktivistët e quajnë “Qëndresë” në arabisht, u nis nga Barcelona javën e kaluar me shpresën për të transportuar ushqime, ujë dhe ilaçe në Gaza, duke sfiduar bllokadën e Izraelit në kufirin detar të enklavës. Grupi kishte spekuluar për praninë e dronëve që fluturonin sipër, në transmetime live dhe rrjete sociale.

Aktivistët argumentojnë se prania e mjekëve, artistëve, klerikëve dhe politikanëve evropianë në bord do të ndihmojë të nxirret në pah bllokada dhe masat e Izraelit për ta zbatuar atë.