Udhëtarët drejt dhe nga zona Shengen e BE-së do të jenë në gjendje të ruajnë të dhënat e tyre të udhëtimit në mënyrë dixhitale, sipas planeve të zbuluara nga Komisioni Evropian.
Të dhënat e ruajtura aktualisht në “çipin” e një pasaporte ose karte identiteti mund të transferohen në një ‘smartphone’ për të lejuar një kalim më të shpejtë të kufirit, tha Komisioni Evropian, shkruajnë mediat e huaja.
“Propozimi për dixhitalizimin e pasaportave dhe kartave të identitetit hap rrugën për një përvojë udhëtimi më të qetë dhe më të sigurt”, ka thënë në një deklaratë Věra Jourová, zëvendës-presidentja e Komisionit për vlerat dhe transparencën.
Plotësimi dhe dërgimi i planeve dhe dokumenteve të udhëtimit tek autoritetet paraprakisht do të shkurtojë kohën në kalimet kufitare, duke i lejuar ata të verifikojnë vërtetësinë dhe të fokusohen në raste më shqetësuese si kontrabandistët e migrantëve, argumenton Komisioni.
Planet duhet të miratohen nga Këshilli i BE-së, i cili përfaqëson shtetet anëtare, si dhe ligjvënësit në Parlamentin Evropian – dhe vjen ndërsa blloku përgatitet të prezantojë një sistem të ri të veçantë për të kontrolluar hyrjet dhe daljet nga Zona Shengen e BE-së.
Sistemi i hyrje-daljeve do të hyjë në funksion në nëntor, megjithëse raportet e fundit sugjerojnë se ai mund të përballet me vonesa të mëtejshme.
Kjo do të thotë se udhëtarët jo-BE duhet të kalojnë nëpër skaner kur hyjnë në Shengen, zona e brendshme pa pasaporta që mbulon pjesën më të madhe të BE-së plus Norvegjinë, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën, por përjashton Irlandën dhe Qipron.
Shërbimi i pasaportave dixhitale do të jetë vullnetar dhe falas për udhëtarët, tha Komisioni dhe mund të hyjë në fuqi deri në vitin 2030.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë