Nuk ka “hakmarrje” dhe as vend të parë në grup, Shqipëria bën paqe dhe i fal Çekisë kreun e renditjes

Shqipëria nuk përfiton nga hapi fals i Gjeorgjisë përballë Ukrainës. Kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 0-0 ndaj Çekisë në “Air Albania”

Barazimi pa gola ishte një rezultat tepër i mirë për skuadrën e Silvinjos që duhet të bëjë llogaritë në takimin e fundit, atë të së martës në “Air Albania” ndaj Ukrainës.

Miqtë çekë arritën të trondisnin dy herë portën e Strakoshës, teksa fillimisht ishte Vaclav Jemelka, i cili kapi traversën pas një goditjeje me kokë në minutën e 13 dhe pak sekonda më vonë, Lukas Cerv goditi në të njëjtin vend nga distanca, por vetëm kaq.

Pjesa e mbetur e lojës pa një dominim të pastër të kuqezinjve, të cilët patën raste të shumta shënimi me Bajramin, Tuçin, e Qazim Laçin me këtë të fundit që pati rastin më flagrant për të gjetur rrjetën, por në fund rezultati mbeti i pandryshuar.

Rikthimin e tij me fanelën kuqezi e bëri edhe Amir Abrashi, i cili zbriti në fushë pas plot 8 vitesh.

Pas 5 ndeshjeve grupi kryesohet nga Republika Çeke me 8 pikë, ndjekur nga Gjeorgjia me 7, po aq sa Shqipëria, ndërsa me 5 pikë gjendet Ukraina e fundit. Dy sfidat e së martës, Shqipëri-Ukrainë dhe Çeki-Gjeorgji shndërrohen në finale të vërteta, me sfidat që do të përcaktojnë fatin e katër kombëtareve në grupin B1.