OEGJK dhe GET: Konflikti në Iran rrit presionin mbi ekonominë e Kosovës

OEGJK dhe GET: Konflikti në Iran rrit presionin mbi ekonominë e Kosovës

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), në bashkëpunim me German Economic Team (GET), organizoi tryezën e rrumbullakët me temën “Economic Implications of the Iran Conflict for Kosovo”, me fokus në ndikimet ekonomike që zhvillimet e fundit gjeopolitike po sjellin për Kosovën.

Sipas njoftimit nga OEGJK, pjesa qendrore e diskutimit ishte analiza e prezantuar nga German Economic Team, e cila ofroi një pasqyrë të detajuar mbi efektet e krizës në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ndikimin e tyre në ekonominë e Kosovës.

“Sipas vlerësimeve të GET, inflacioni për vitin 2026 është rishikuar nga 3.1% në 5.9%, duke shënuar rritjen më të lartë të projeksionit në rajon. Një nga faktorët kryesorë mbetet rritja e çmimeve globale të naftës, e cila pritet t’i kushtojë Kosovës rreth 121 milionë euro shtesë në importe, ose 1.1% të Bruto Produktit Vendor (BPV)”, thuhet në njoftim.

Analiza e GET theksoi gjithashtu se ushqimi përbën 33% të shportës së konsumit në Kosovë, duke e bërë ndikimin e rritjes së çmimeve të importeve dhe transportit veçanërisht të ndjeshëm për qytetarët.

Në sektorin energjetik, GET prezantoi se 56% e furnizimit total me energji në Kosovë vjen nga linjiti vendor, 33% nga produktet e naftës të importuara dhe 9% nga burime të rinovueshme. Kjo strukturë energjetike e mbron vendin nga goditjet e gazit natyror, por jo nga luhatjet e çmimeve të naftës.

“Si rezultat i këtyre zhvillimeve, GET ka rishikuar parashikimin për rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2026 nga 3.8% në 3.3%, duke theksuar se qëndrueshmëria ekonomike kërkon masa konkrete për rritjen e produktivitetit, përmirësimin e klimës së investimeve, zgjerimin e eksporteve dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër”, thuhet në njoftim.

Tryeza shërbeu si platformë për shkëmbim të pikëpamjeve ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat, duke kontribuar në një dialog më të thelluar mbi sfidat aktuale ekonomike dhe hapat e nevojshëm për zhvillim të qëndrueshëm.