Osmani: Vonesat për formimin e Qeverisë si kam shkaktuar unë, shpresoj që seanca të thirret brenda afatit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur optimizmin se seanca ku do të votohet mandatar i dytë për kryeministër do të thirret brenda afatit kushtetues, pa pritur deri në ditën e fundit, më 19 nëntor.

“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Më rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas, është në duart e deputetëve dhe partive politike se çfarë diskutojnë mes vete,” tha Osmani para gazetarëve.

Presidentja ka theksuar se vlerësimi i saj për kandidatët nuk nënkupton kërkesë për garanci.

“Sa i përket nënshkrimeve, kjo nuk ka qenë çështje garancie. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca, është vlerësuar nga ana ime se i ka ato gjasa,” tha ajo.

“Kushtetuta është e qartë: nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Mos të harrojmë se ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim edhe për këto dy javë,” shtoi Osmani.

Presidentja ka bërë të qartë se optimizmi i saj për thirrjen e seancës ishte bazuar në bisedat me deputetët dhe partitë, dhe theksoi se çështja e bllokimit të procesit nuk lidhet me Presidencën.