Pak kohë pas largimit nga Man Utd, Van Nistelrooy mund të marrë drejtimin e klubit të njohur gjerman

Ruud Van Nistelrooy është lidhur me një punë befasuese jashtë Ligës Premier pak kohë pasi u largua nga Manchester United.

Van Nistelrooy u rikthye tek Unitedi në rolin e asistentit të Erik Ten Hag në verë, pasi fillimisht u largua nga klubi si lojtar në 2006.

Tekniku holandez më vonë mori përsipër drejtimin e klubit si trajner i përkohshëm pas shkarkimit të Ten Hag, por u largua pas diskutimeve me trajnerin e ri Ruben Amorim.

Van Nistelrooy shpejt u lidh me një kalim të mundshëm në Championship tek Coventry City, të cilët shkarkuan trajnerin e tyre më herët këtë muaj.

Sidoqoftë, sipas një raportimi nga gazetari Florian Plettenberg i Sky Sports Germany, Van Nistelrooy është njëri prej kandidatëve kryesor për të marrë drejtimin e Hamburgut në Bundesliga 2.

Hamburgu është një prej ekipeve më të mëdha në futbolli gjerman, por ata nuk kanë qenë në gjendje të rikthehen në elitë që prej se ranë nga Bundesliga për herë të parë në histori në 2018.

Duke përjashtuar trajnerët e përkohshëm, klubi ka pasur gjashtë trajnerë të ndryshëm që prej atëherë, teksa i fundit ishte Steffen Baumgart i cili u shkarkua të dielën pas barazimit 2-2 ndaj Schalkes.

Hamburgu gjendet në pozitën e tetë në renditjen tabelare, por nuk kanë fituar ndonjë prej pesë ndeshjeve të tyre të fundit në të gjitha garat.

Kujtojmë se Van Nistelrooy ka një të kaluar me Hamburgun pasi atje ka luajtur më parë si lojtar, duke shënuar 17 gola në 44 ndeshje mes viteve 2010 dhe 2011.