Parlamenti Evropian për situatën në Serbi

Parlamenti Evropian për situatën në Serbi

Lidershipi i Partisë Popullore Evropiane (PPE) ka konfirmuar se do të shqyrtojë pjesëmarrjen e Partisë Progresive Serbe në grupimin politik, pas ngjarjeve të muajve të fundit në Serbi. Dhuna ndaj protestuesve në qytete të ndryshme kundër regjimit aktual ka shkaktuar debate brenda PPE-së për të vendosur nëse partia e Vuçiqit meriton të mbetet pjesë e kësaj familjeje politike.

 

“Është e qartë se situata në Serbi po krijon një debat brenda familjes së Partisë Popullore Evropiane. Ne si PPE jemi të vetëdijshëm për zhvillimet atje. Ne i shohim fotografitë, ne i shohim zhvillimet. PPE nuk i mbyll sytë ndaj asaj që po ndodh në Serbi, dhe për këtë arsye unë, si lider i Partisë, do të inicioj një proces shqyrtimi rreth Vuçiçit dhe gjithashtu partisë që është pjesë e Familjes së PPE-së. Kjo do të ndodhë në ditët në vijim”, tha Martin Weber, lider i PPE-së.

Partia Popullore Evropiane është grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian dhe konsiderohet një nga partitë më të fuqishme evropiane, pasi shumë liderë shtetesh anëtare të BE-së vijnë nga kjo familje politike. PPE shpesh luan rol vendimtar në formimin e drejtimit strategjik të Bashkimit Evropian.
Ngjarjet në Serbi kanë shkaktuar reagime të forta nga eurodeputetët, ndërkohë që presidenti Vuçiq ka dërguar shpesh mesazhe ofenduese ndaj tyre.

“Ne kemi një problem në Beograd. Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, dhe dhuna e rëndë në rrugët e Serbisë duhet të ndalet. Policia duhet të veprojë në mënyrë të përshtatshme dhe të respektojë të drejtat themelore. Deklaratat e presidentit Vuçiq dhe kryetares së Parlamentit, Bërnabiq, kundër BE-së nuk do kalojnë pa u vërejtur. Të përshkruarit e anëtarëve të Parlamentit Evropian si ‘plehra’ tregon një kuptim të dyshimtë të demokracisë”, tha Marta Kos, komisionere për zgjerim.

Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian, do të zhvillohet debat për situatën në Serbi, në dritën e trazirave dhe reagimeve të përfaqësuesve të regjimit ndaj protestave.