“Patriotizëm me pasuri nuk ka”: Kadri Kryeziu zbërthen Bardhyl Mahmutin dhe ‘sojin e tij’

Polemika e hapur mes Kadri Kryeziut dhe Bardhyl Mahmutit është thelluar në rrjetet sociale. Dy shkrime të njëpasnjëshme të Kryeziut, ish-i burgosur politik dhe pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, kanë sjellë reagime të forta, ku ai e akuzon Mahmutin për përvetësim të historisë, mungesë burrnie dhe deformim të idealeve të lirisë.

Në shkrimin e parë, me titull “Patriotizmi dhe hajnija nuk futen në një thes”, ai thekson se ata që u ngritën kundër Jugosllavisë nuk e bënë luftën për përfitime personale. Kryeziu e akuzon Mahmutin dhe “sojin e tij” për pasurim pa turp dhe përpjekje për ta shndërruar luftën e drejtë në biznes personal.

Në reagimin e dytë, me titull “Kur hajnat vazhdojnë e flasin për patriotizëm”, Kryeziu mohon rolin e Mahmutit në organizimin e demonstratave të 11 marsit 1981, duke sqaruar se ato kishin rrënjë në lëvizjen studentore të vitit 1968. Sipas tij, Mahmuti nuk ishte pjesë e grupit organizator dhe “ishte vagon, jo lokomotivë”.

Të dy shkrimet e Kryeziut përmbajnë tone të forta akuzuese dhe rikthejnë në vëmendje përplasjet e vjetra brenda radhëve të disidentëve shqiptarë kundër regjimit jugosllav.

PATRIOTIZMI DHE HANIJA NUK FUTEN NË NJË THES

Nga mënyra si është sjellë, Bardhyl Mahmuti, pa i hyrë në hak, e ka marrë stafetën e shpifjeve kundër meje. Kam pritur që do të reflektonte dhe do të korrigjonte fjalët e tij, por mungesa e burrnisë për ta bërë këtë më zhvesh nga çdo arsye për t’u përmbajtur.
Bardhyli më mirë në një burg. E di fort mirë sa larg mund të shkoj, prandaj ky reagim është vetëm fillimi. Le ta bëjmë si të duan: kur të duan, ku të duan dhe me çfarë të duan, sepse për sojin e Bardhylit nuk jap pesë pare.

Edhe pse dikur ishim të burgosur si disidentë të regjimit jugosllav, me Bardhyl Mahmutin dhe sojin e tij — që përfshin burra të ligë në Kosovë e Maqedoni — unë i kam ndarë rrugët moti. Kontributi i tyre si disidentë, madje edhe pjesëmarrja në luftë, janë venitur përballë pisllëqeve që kanë bërë pas saj.

Ne nuk u ngritëm kundër Jugosllavisë së Titos e pastaj kundër Serbisë së Millosheviqit që disa, sot, ta ndiejnë veten të autorizuar të grabisin, të përvetësojnë e të pasurohen pa fre e pa turp.

Jo! Nuk ua takon. Nuk ua ka takuar kurrë dhe nuk do t’u takojë asnjëherë. Pangopësia, llupësia dhe pisllëqet e këtij soji janë fyerje për vuajtjet që kemi kaluar në burgje, për gjakun që është derdhur dhe për sakrificat e popullit tonë.

KUR HAJNAT VAZHDOJNË E FLASIN PËR PATRIOTIZËM

Parulla “Kushtetutë, Republikë, o me hatër o me luftë” nuk është shpikje e vitit 1981.
Ajo ka gjenezën në demonstratat e vitit 1968. Ne, studentët e vitit 1981, që nuk u pajtuam me luksin dhe glamuorin jugosllav, ishim të edukuar dhe kalitur në frymën që nisi në pranverën e vitit 1968.

“Duam kushte!”, “Duam Republikë!”, “Lironi shokët nga burgu!” — fjala është për ideologun tonë, Bacën Adem Demaçi.

Pa organizimin tonë, pa veprimin e pesë shokëve që e nisëm demonstratën, nuk do të kishte pasur demonstrata më vonë — ato të fundmarsit 1981 që u rritën dhe u bënë gjithëpopullore. Bardhyli aty ishte vagon, jo lokomotivë.

Dhe jo, Bardhyl, nuk është e vërtetë që nuk ke pranuar pozita. Ti i ke pasur ato — por gjithmonë i pakënaqur, gjithmonë duke kërkuar më shumë. I soji yt, që nuk di kurrë ç’është “boll” e “mjaft”. Kur nuk i arrite ato që dëshiroje dhe nuk munde të grabisësh çfarë synoje, fillove t’i shpallje shokët tradhtarë e spiunë. Kështu i ke bërë të gjithëve — madje edhe Ali Ahmetit. Dhe në fund, ike e u strehuve në Zvicër.