Shkruan: Agim Vuniqi
Kosova ka hyrë në dekadën e tretë të shtetësisë së saj me një realitet të pakthyeshëm në terren, por ende të kontestuar në arenën ndërkombëtare. Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës katër muaj më pas, ishin momentet e konsolidimit formal të një shteti që kishte dalë nga lufta, por jo nga pasiguria.
Në këtë vit, Kosova përjetoi inerci politike, tensione me minoritetin e saj serb dhe sfida në dialogun Beograd-Prishtinë, duke ngritur shqetësime për stabilitetin rajonal. Fragmentimi politik dhe zgjedhjet e fundit të paqarta e ndërlikuan më tej situatën.
Edhepse Kosova ka përjetuar njohjen nga mbi 100 shtete, numër që herë pas herë është në lëkundje, ka përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, ka aplikuar në organizata ndërkombëtare të rëndësishme si Këshilli i Evropës dhe Interpol, dhe ka shtrirë kontrollin në pjesën më të madhe të territorit të saj. Por, përkundër këtyre arritjeve, Serbia vazhdon të refuzojë njohjen, e përkrahur nga Rusia dhe Kina, ndërsa pesë shtete anëtare të BE-së mbajnë qëndrime pezull.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbetet i bllokuar nga vetoja ruse, por edhe vetë Bashkimi Evropian nuk e ka harmonizuar plotësisht qëndrimin e vet ndaj Kosovës. Kjo e ka bërë procesin e integrimit të vendit të mbetet i varur nga dialogu me Serbinë – një proces që prej vitit 2011 ka prodhuar më shumë marrëveshje të pazbatuara se sa rezultate konkrete.
Dialogu në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, u përshpejtua pas vitit 2023 me Marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, implementimi ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët. Serbia kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si parakusht, ndërsa Kosova ngul këmbë që të mos rrezikohet karakteri unitar i shtetit dhe rendi kushtetues.
Në këtë mes, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me pasiguri, mungesë perspektive dhe bllokada diplomatike. Ndërkohë, strukturat ilegale serbe në veri të vendit kanë vazhduar aktivitetin e tyre, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi, duke sfiduar sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Nëse diplomacia ndërkombëtare synon paqe të qëndrueshme në Ballkan, atëherë duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet dhe nuk ka më kthim pas. Zgjidhja nuk qëndron në zvarritjen e dialogut, në formula të paqarta për Asociacionin, apo në status quo të menaxhuar. Zgjidhja qëndron në përfundimin e njohjes së ndërsjellë dhe në integrimin e Kosovës si subjekt i barabartë në sistemin ndërkombëtar.
Kosova ka treguar përkushtim për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë elementet e dhimbshme të Marrëveshjes së Ahtisaarit, si decentralizimi dhe garancitë për komunitetet. Por kjo nuk duhet të interpretohet si dobësi. Përkundrazi, është koha që BE-ja dhe SHBA-ja të përforcojnë rolin e tyre jo vetëm si ndërmjetës, por si garantues të integritetit të shtetit të Kosovës. Nëse realiteti i shtetësisë së Kosovës pranohet pa ekuivok nga të gjithë – përfshirë pesëshen evropiane – atëherë do të mund të flasim për paqe të qëndrueshme dhe jo për kompromis të përhershëm.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit