Shefi i EULEX-it: Pavarësia gjyqësore duhet të respektohet nga të gjithë

Pavarësia gjyqësore duhet të respektohet nga të gjithë

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar sot në platformën X lidhur me siç ka thënë ai “sulmet dhe ndërhyrjet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Barbano ka theksuar se ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme.

“Pavarësia gjyqësore është një nga gur themelet e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka thënë ai.

Dje, kryeministri në detyrë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës kundër Vetëvendosjes, duke thënë se pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe.

Ndërsa, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se Kushtetuesja është para një vendimi të madh./rtk