Hamza flet për zgjedhjet e parakohshme: Presim që të mbahen shpejt, po e rifreskojmë programin

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një konferencë për media ndër të tjera foli edhe për zgjedhjet e parakohshme, për të cilat tha se presin që të mbahen shpejt.
Ai tha se janë përgatitur dhe se, siç u shpreh, po e rifreskojnë programin.
“Jemi përgatitur, pres që zgjedhjet të mbahen shpejt. Ne si Parti Demokratike jemi mirë të organizuar, të gjitha strukturat janë mobile, kemi një program që jemi duke e rifreskuar”, u shpreh ai.
Ndërsa, sa i përket subjekteve tjera politike, ai tha se nuk ka vendosur asnjëherë vija të kuqe.
Lushtaku flet pas konventës së PDK-së
Ai tha se konventa për zgjedhjen e kryetari ishte sipas rregullave.
“Besoj se gjithçka ke sipas rregullave”, tha ai.
Përndryshe, në këtë konventë Bedri Hamza ka marrë besimin e shumicës së delegatëve dhe pa asnjë votë kundër.
Kryetari i ri i PDK-së për Lladrovcin: Jemi të hapur t’i bisedojmë të gjitha çështjet
Kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza në konferencën pas konventës foli edhe për çështjen e Ramiz Lladrovcit, duke thënë se janë të hapur t’i bisedojmë të gjitha çështjet.
Ai u shpreh se ka gjithmonë mundësi për t’u kaluar hatërmbetjet e momentit.
“Sa i pëketë çështjes së z.Lladrovci, ne jemi të hapur t’i bisedojmë të gjitha çështjet. Normalisht që ne kemi interes që të gjithë ata që kanë qenë, çfarëdo faze të historisë të zhvillimit dhe ecjes së PDK-së, me qenë brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe të vazhdojmë kontributin”.
“Hatërmbetjet e momentit, hatërmbetjet e caktuara gjithmonë ka rrugë dhe mundësi për t’i kaluar dhe unë do t’i dëgjojë të gjithë me kujdes, me seriozitet dhe me sinqeritet”, u shpreh ai.
Bedri Hamza merr drejtimin e PDK-së, premton unitet, hapje dhe rikthim të fuqishëm

Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së.
Ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Bedri Hamza, pas votimit të tij si kryetar i ri i PDK-së.
Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka thënë Hamza.
Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.
“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK.”, ka përfunduar Hamza.
Bedri Hamza falënderon aktivistët: PDK-ja është ndërtuar mbi sakrificë, jo mbi interesa personale
Hamza e ka filluar fjalimin e tij duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.
“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.
Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.
“A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.
“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë ai.
Hoxhaj tregon çka i kërkoi Hamzës: Jemi miq, s’kemi idhnime

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar një javë zgjatje.
Ai u shpreh se me Bedri Hamzën janë miq dhe nuk kanë hidhërime.
“Unë e falënderoj kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, për udhëheqjen e partisë. Unë kam kërku një javë të zgjatet, nuk e them me inati, as me pakënaqësi”.
“Unë mbramë jam taku me zoti Bedri Hamzën, sepse jemi miq, nuk kemi idhnim, jemi shokë, do të mbesim shokë. Kam kërkuar prej Bedriut që ne si gjeneratë e artë, e Hashimit dhe Kadriut, që kemi akpaciatet si me udhëheqë dhe me mbajtë një konentë pas një jave”, u shpreh ai.
Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së
Të gjithë të pranishmit ngritën kartonin e gjelbër.
Konventa e Jashtëzakonshme, Krasniqi: Kosovës i duhet PDK-ja

Kryetari në dorëheqje i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryetari i ri PDK-së duhet të jetë edhe kandidati i ardhshëm për kryeministër. Ai para delegatëve në Konventën e Jashtëzakonshme të PDK-së tha se ka dhënë dorëheqje prej postit të parit të partisë për ta krijuar një momentum të ri në PDK për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ai tha se PDK-së i duhet një energji e re.
Krasniqi: Kosovës i duhet PDK-ja
“Kosovës i duhet PDK-ja dhe i duhet secili prej jush, çdo anëtar i devotshëm i familjes sonë politike. Lidershipi nuk matet me sa gjatë mban një pozicion, por me momentin kur di ta lëshosh atë…E dorëzoj postin sepse, pas gati 1600 ditësh, besoj se PDK-së i duhet një momentum i ri dhe një kapitull i ri, derisa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Po e bëj këtë hap sepse besoj thellë se PDK ka nevojë për një energji të re dhe se ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati ynë për kryeministër në të ardhmen. Po e bëj këtë nga përgjegjësia që ndjej dhe jo sepse shtëpia jonë është e thyer. Po dorë-hiqem, sepse PDK-në po e lë më të fortë sesa e gjeta”, tha ai.
Krasniqi i bëri thirrje të gjithë ish-anëtarëve të PDK-së që të kthehen në parti dhe t’i lënë pakënaqësitë anash.
Krasniqi: Pakënaqësitë dhe hatër mbetjet le t’i takojnë së kaluarës
“Andaj dua të them qartë se kryetari i ardhshëm do ta ketë mbështetjen time të plotë. Ai duhet ta ketë mbështetjen tuaj të plotë dhe të secilit aktivist dhe çdo dege. Pakënaqësitë dhe hatër mbetjet le t’i takojnë së kaluarës, ndërsa uniteti të jetë i së ardhmes. Me kryetarin e ri, PDK do të ecë drejt fitoreve të reja, sepse PDK-ja e bashkuar është PDK e pandalshme. Kjo parti po përgatit një udhëheqje për të ardhmen në nivel nacional. Sot, nga kjo foltore, dua t’ju bëj një thirrje të gjithëve: ejani dhe bashkohuni në familjen tonë politike”, tha ai.
Pas përfundimit të fjalimit të Krasniqit e mori fjalën Xhavit Haliti, i cili kërkoi nga delegatët ta miratojnë dorëheqjen e Krasniqit.
Pas kësaj, me shumicë votash delegatët miratuan dorëheqjen e tij.
Krasniqi dorëzon mandatin: PDK ka nevojë për një momentum të ri

Para delegatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në Konventën e Përgjithshme pritet të paraqitet vetëm kandidatura për kryetar e Bedri Hamzës. Deri tani para nisjes së konventës zyrtarë të PDK-së, thonë se nuk ka kandidatur tjetër për kryetar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e të parit të PDK-së gjatë Konventës së 12-të të partisë, ku do të zgjidhet pasuesi i tij. Para delegatëve, ai e cilësoi këtë detyrë si “nderin më të madh” të jetës së tij politike.
Krasniqi, i cili qëndroi 4 vjet e 4 muaj në krye të PDK-së, falënderoi delegatët për besimin e dhënë në një periudhë që e përshkroi si ndër më sfidueset në historinë e partisë.
“Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend… Sot largohem nga detyra me mirënjohje, me krenari, me paqe”, u shpreh ai, njofton zyra për informim e PDK-së.
Duke argumentuar arsyet e largimit, Krasniqi tha se PDK ka nevojë për “energji të re” dhe për një kryetar që njëkohësisht do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
“PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri. Nuk po largohem prej lodhjes apo zhgënjimit. Po e bëj këtë nga përgjegjësia… sepse besoj që shtëpia jonë është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja”, tha ai, duke shtuar se partinë po e lë “më të fortë se sa e kishte gjetur”.
Krasniqi përmendi me krenari arritjet gjatë mandatit të tij, duke theksuar ringritjen e PDK-së në skenën politike me fitore në disa komuna kyçe, me rritjen e besimit të qytetarëve dhe rikthimin në rolin e forcës kryesore opozitare.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq… Por së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, tha ai.
Në fund, ai kujtoi edhe rrugëtimin e tij prej më shumë se 20 vitesh brenda PDK-së, duke nënvizuar se ishte “nder historik” të ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe të udhëhiqte partinë e “krenarisë kombëtare”, siç e quajti ai, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Konventa e 12-të e PDK-së po vazhdon me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë.
——-
Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se momentalisht ka vetëm një kandidatur për kryetar të PDK-së, derisa theksoi se zgjidhja më e mirë për PDK-në, është zgjedhja e Bedri Hamzës për kryetar.
Totaj: Bedri Hamza zgjedhja e duhur
“Nuk mendoj se ka pasur nevojë të shtyhet Konventa, meqenëse kemi veç një kandidat mendoj se ai do të zgjidhet dhe është zgjidhja e duhur….Me sa unë jam i njoftuar nuk është dikush që ka aplikuar përveç Bedri Hamzës”, tha ai.
Në anën tjetër, ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se rregullat janë strikte që brenda Konventës së PDK-së të paraqitet kandidatura e Enver Hoxhajt, teksa shtoi se i njëjti nuk ia ka kërkuar nënshkrimin atij për ta shpallur kandidaturën për kryetar.
Haliti: “Është krejtësisht normale në demokraci me pas shumë pretendime me u bo kryetar të partisë. Rregullat janë strikte dhe duhet me u zbatuar dhe tani të shohim si po zhvillohet mbledhja…Janë ca rregulla që ia pamundësojnë dikujt me hy sipas statutit. Duhet me i pas nënshkrimet e delegatëve dhe me paraqitë kandidaturën pesë ditë përpara. Nuk e di mua jo”, tha ai.



Të tjera
5 trika psikologjikë që jua stërvisin trurin për të qenë inovativ
Ushqimet më të pasura me antioksidantë, të cilat ju ndihmojnë të bini nga pesha
Pirja e duhanit shkakton dhimbjen e shpinës