Peci: Kryetari i Kuvendit i takon fituesit – opozita të reflektojë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci është deklaruar sot para mediave pak minuta para fillimit të seancës së tetë me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Peci ka thënë se çka do të ndodh sot është në dorën e deputetëve.

“E thash edhe herën e kaluar që qytetari i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar që kryetari i Kuvendit i takon partisë ose koalicionit fitues dhe është i vetmi që ka të drejtën e propozimit. Është e padrejtë që partitë e tjera që nuk e kanë fituar këtë të drejtë me kërku të drejtën e tyre brenda LVV-së dhe partnerëve të saj”, ka thënë Peci.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, tutje shtoi se propozimi për kryetare të Kuvendit mbetet i njëjtë, që është Albuelna Haxhiu.

Peci kërkoi nga partitë PDK,LDK e AAK të reflektojnë.

“Propozimi mbetet i njëjtë dhe nuk besoj që është në interes të Kosovës që të zvarritet procesi i konstituimit. Sa më shpejtë që opozita bindet që është e drejtë e LVV-së që të ketë kandidatin për kryetar të Kuvendit ne do të kemi zhbllokim të situatës. Nuk jemi të lumtur që të po detyrohemi të mblidhemi çdo 48 orë”, tha Peci.

Ai shtoi se vota kundër është votë për bllokim të institucioneve.