Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, po qëndrojnë sot në Podujevë, ku janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Siç bëhet e ditur në një njoftim, Bulliqi iu ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kreun e Podujevës me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.
“Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një mesazh i fuqishëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Hoxha.
Kryetari i Podujevës, nga ana tjetër u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë Marsh.
“Angazhimi ynë si komunë është i qartë. Ne do ta përkrahim këtë iniciativë, sepse besojmë se vetëm me solidaritet dhe pjesëmarrje masive mund të mbrojmë idealet që na kanë sjellë lirinë”, është shprehur Bulliqi.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.



Të tjera
OBSH sheh rrezik të ulët të përhapjes së virusit Nipah përtej Indisë
Konfirmojnë nga Prokuroria Speciale: Faton Peci u intervistua si i pandehur për rastin e granteve
Nuk ka amnisti për asnjë keqbërës, LVV ka edhe komision disiplinor