Peci: Po ndërtojmë ura për një Mitrovicë funksionale e të integruar

Po ndërtojmë ura për një Mitrovicë funksionale e të integruar

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se në Mitrovicë do të ndërtohet një urë e re, e cila do të lehtësojë trafikun dhe do të krijojë kushte të reja zhvillimore për qytetin.

Sipas Pecit, ura e re do të lidhë rrugën nga varrezat e qytetit në Shipol, në drejtim të Zhabarit, duke u bashkuar me Gushavcin e më pas deri në fshatin Vidimriq. Ai tha se ky projekt do të ulë presionin e trafikut, do të sjellë infrastrukturë moderne dhe do të kontribuojë në zgjerimin e qytetit përgjatë luginës së Ibrit.

“Ky është hapi pararendës për ndërmarrjen e re të transportit që do të themelohet në vitet e ardhshme, me synim organizimin më të mirë të trafikut urban dhe ndër-urban,” u shpreh Peci.

Ai theksoi se ky projekt është pjesë e planit për “Mitrovicën e gjelbërt, të pastër dhe funksionale”, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe bashkimit të qytetit.

Në fotot e publikuara nga Peci shihet ai në veri të Mitrovicës së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.