Policia godet rrjetin kr*iminal pas shpërthimit në QKUK, prangosen 11 persona, konfiskohet dr*ogë dhe ar*më

Policia godet rrjetin kr*iminal pas shpërthimit në QKUK, prangosen 11 persona, konfiskohet dr*ogë dhe ar*më

Policia e Kosovës, Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin e ndodhur më datë 30.04.2025, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së, ka ndërmarrë veprime të mëtejme operative dhe hetimore në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Përmes njoftimit PK-ja ka bërë të ditur se me datën 09.09.2025, në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë, raporton Zeri.info.

“Gjatë kontrollit janë ndaluar njëmbëdhjetë persona të dyshuar dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale si më poshtë, së në Prishtinë në rrugën “Fan Noli”, një telefon mobil i llojit iPhone 12, një laptop Lenovo, dokumente të ndryshme, Prishtinë – Rr. “Pavarësia”, katër telefona celularë Samsung, një telefon celular iPhone 14 Pro Max, një palë pranga metalike, një radio lidhje Baofeng, gjashtë fishekë të armës së shkurtër të kalibrit 9×19 mm, fshati Rimanishtë, një pistoletë e llojit Sig Sauer me një karikator dhe 12 fishekë, një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një thikë (bajonetë) tri telefona (iPhone dhe Samsung), sasi e konsiderueshme e substancës narkotike (dyshohet për marihuanë), mjete për kultivim dhe përpunim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë bastisjes në këtë lokacion, është ndërhyrë edhe nga njësia e Antidrogës – DHTN Prishtinë,e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit për narkotikë.

“Në vazhdim të veprimeve janë sekuestruar dëshmitë ku janë konfiskuar 142 kg e 172 gr substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit, një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë, një armë AK-47, 5 karikatorë, 99 fishekë dhe 1 bajonet, dhjetë (10) telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje bëhet e ditur se Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest akti për çështje të narkotikëve, dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

“Ndërkaq, pas intervistimit të personave të ndaluar dhe në konsultim me prokurorin kompetent, nëntë (9) persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Me këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprime të koordinuara me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.