Policia heton dëmtimin e vagonëve të trenit në Han të Elezit

Policia heton dëmtimin e vagonëve të trenit në Han të Elezit

Ndërmarrja Publike Trainkos Sh. A. sot njoftoi për dëmtimin e vagonëve të trenit, në Han të Elezit. Lidhur me këtë, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, deklaroi se janë duke u hetuar rrethanat e rastit.

Veseli njoftoi se policia është informuar nga një përgjegjës i Infrakos-it se persona të panjohur kishin shkruar grafite në dy vagona udhëtarësh.

“Më datë 15.11.2025, rreth orës 09:15, përgjegjësi i Infrakos-it ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë shkruar grafite në dy vagona të udhëtarëve, të cilët ndodhen në stacionin e Trenit në Han të Elezit që nga dhjetori 2024 dhe janë pronë e kompanisë TRAINKOS”, tha Veseli .

Ai bëri të ditur se pas njoftimit, është kontaktuar prokurori i shtetit dhe se rasti është cilësuar si “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Veseli njoftoi se hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga Njësia e Hetimeve e Policisë./rtk