Policia konfirmon shembjen e murit mbi automjet në Han të Elezit, shoferi pësoi lëndime

Policia konfirmon shembjen e murit mbi automjet në Han të Elezit, shoferi pësoi lëndime

Policia është deklaruar rreth rastit të rëndë në Han të Elezit, ku një shofer fatmirësisht u shpëtua pas një mur zuri automjetin ku ai ndodhej.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 20:45 në rrugën “28 Nëntori” në Han të Elezit.

Sipas tij, një mur mbrojtës ishte shembur dhe kishte rënë mbi një veturë pasagjerësh, ku ndodhej vetëm shoferi.

Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e Emergjencës dhe njësia e Zjarrfikësve nga Hani i Elezit, të cilët kanë filluar ndërhyrjen për nxjerrjen e personit të bllokuar në veturë.

Sipas Veselit, shoferi ka qenë me vetëdije, por i ngujuar brenda veturës.

“Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Han të Elezit. Rreth orës 22:00, nga njësia e zjarrfikësve personi është nxjerrë nga vetura, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ka qenë me vetëdije dhe nga njësia emergjente është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, tha ai.

Për veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar “Shënim zyrtar” për veprime tjera hetimore.