Policia në veri sekuestron një veturë me targa serbe, me dy kamera brenda

Policia në veri sekuestron një veturë me targa serbe, me dy kamera brenda

Policia e Kosovës ka sekuestruar një veturë me targa të Serbisë që posedonte pajisje të kundërligjshme monitoruese në Mitrovicën e Veriut, pas një operacioni të zhvilluar më 5 shtator 2025 në rrugën “Knjaz Milos”.

Automjeti i tipit Škoda Octavia, ngjyrë hiri, u gjet i parkuar me dy kamera profesionale dhe pajisje GPRS të montuara. Vetura u dërgua në stacionin policor në Mitrovicë e Veriut, ku pas verifikimeve rezultoi se kishte hyrë në Kosovë në vitin 2022 dhe kishte qëndruar në kundërshtim me Ligjin për Automjete (05/L-132, neni 41), i cili lejon përdorimin e automjeteve me targa të huaja vetëm deri në tre muaj, noton policia .

Hetimet e mëtejshme, sipas policisë  zbuluan se vetura i përkiste “Narodna Banka Srbije”, e përdorur më herët për transportimin e parave nga Serbia në Kosovë.

Gjatë kontrollit të detajuar, policia gjeti pajisje shtesë: dy kamera, një DVR dhe një ekran monitorimi, të cilat ishin të vendosura në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë (06/L-082). Për këtë arsye, në vendngjarje u ftuar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila konfiskoi pajisjet për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka rikujtuar qytetarët se: “Vendosja e kamerave apo pajisjeve të ngjashme në automjete ose hapësira private pa autorizim dhe pa sinjalizim është e ndaluar dhe përbën shkelje të privatësisë”.

Sipas Policisë, posedimi dhe qarkullimi i automjeteve me targa të huaja lejohet vetëm brenda afateve ligjore, ndërsa tejkalimi i tyre konsiderohet i kundërligjshëm dhe sjell masa ligjore, përfshirë konfiskimin.

Policia apelon tek qytetarët që të respektojnë ligjet në fuqi dhe paralajmëron se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas dispozitave ligjore.