Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, tha se ky përvjetor nuk është vetëm një datë për t’u shënuar, por një dëshmi e rrugës së përbashkët të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.
“Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date por dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës,” theksoi Kurti.
Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si themel të sigurisë së vendit dhe u zotua për mbështetje të vazhdueshme institucionale. “Ajo ka treguar se është themeli i sigurisë sonë dhe për këtë arsye ne si institucione do të jemi gjithmonë krahas saj duke e mbështetur atë me të gjitha mjetet.”
Kryeministri veçoi edhe sukseset e këtij viti, duke përmendur veprimet në veri të vendit. “Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia,” tha Kurti.
Ai përmendi aksionet konkrete: “U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj.”
Kurti foli edhe për luftën kundër krimeve të luftës. “Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës, arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmi se drejtësia edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës tonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë.”
Ai vlerësoi rolin e grave dhe vajzave në Policinë e Kosovës: “Vajzat dhe gratë në uniformë shërbejnë sy pa trembur në çdo cep të Republikës së Kosovës, që nga menaxhmenti i lartë, krimet e luftës, njësitë speciale, krimet e rënda, inteligjenca, dhuna në familje e policimi në bashkësi, ato kanë thyer barriera të vazhdueshme duke dëshmuar që asnjë profesion nuk ka gjini kur si i tillë përbrendësohet me vullnet e përkushtim për shërbim.”
Kurti theksoi përfshirjen e komuniteteve në Policinë e Kosovës: “Dhjetë për qind e policisë tonë janë pjesëtarë nga komunitetet dhe mbi gjysma e tyre i përkasin komunitetit serb, ky është vizioni ynë për integrim dhe bashkëjetesë.”
Në fund, ai e krahasoi këtë me situatën në Serbi: “Ndërkohë Serbia vazhdon t’i diskriminojë shqiptarët në Luginë të Preshevës duke mos u dhënë vend në institucionet e saj të sigurisë. Ky kontrast e tregon qartë dallimin mes Republikës sonë demokratike dhe politikave diskriminuese të një shteti autoritar si Serbia.”
Kurse ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se integriteti mbetet vlerë themelore për Policinë e Kosovës, e cila ka dëshmuar se është në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur mbi rrugëtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike./rtk
Të tjera
Policia e Kosovës, simbol i shtetit tonë të pavarur
Policia nuk i la shans kr*imit e te*rrorizmit në veri
S’ka krizë e as kërcënim që e lëkund besimin tuaj ndaj Republikës