Sekretari i Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy tha sot ndihet shumë mirë që po viziton Kosovën sërish, pas dy viteve.
Ai potencoi lidhjet e veçanta mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës.
“Ndjenjë shumë e mirë të kthehem në Kosovë, pas vitesh. Lidhjet e fuqishme mes popujve të dy vendeve tona me një popullsi të shkëlqyeshme të Kosovës në Mbretëri të Bashkuar dhe lidhjes së thellë të partisë sime dhe çlirimit të këtij vendi është diçka shumë e vlefshme për mua dhe kolegët e mi në administratën e re…”, tha ai.
Lammy tha se Kosova vitin e kaluar ka pritur ish-kryeministrin britanik Tony Blair, ku udhëheqësia e tij rreth ndërhyrjes së NATO-s ka qenë njëra prej arritjeve e të tij më të mëdha.
Sekretari britanik tha se është e qartë që kur vijnë në Kosovës shihet progresi, por sipas tij, është e rëndësishme që të shohin Kosovën të arrij progres edhe në orientimin euro-atlantik.
Ai shfaqi shpresën se me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, Kosova të mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës.
Sekretari britanik theksoi bashkëpunimin Kosovë-Britani që e shohin në fushën energjisë, teknologjisë e inovacionit, sigurisë.
“Ka shumë gjëra që mund të bëjmë së bashku…”, tha ai.
“Qëllimi i Tony Blairit ishte që Kosova të jetë në gjendje të formësojë vet të ardhmen e saj, të ekzistojë së bashku me fqinjët e saj në paqe dhe ta mbrojë diversitetin e qytetarëve të saj. Dhe unë jam i përkushtuar për të njëjtin qëllim sot…
Lammy: Qeveria e re, e rëndësishme në këto momente të vështira
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha në Prishtinë se shpreson që në Kosovë partitë politike të angazhohen për të ndërtuar një qeveri të re. Ai në konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, tha se qeveria e re është e rëndësishme në këto momente të vështira.
“Unë e mirëpres përparimin e madh që keni bërë në avancimin tuaj në shkurt dhe shpresoj që ne këtu në Kosovë të angazhohemi për të ndërtuar një qeveri të re, e cila është e rëndësishme në këto momente të vështira. Pra, nuk jam kthyer vetëm si mik, por jam kthyer me një ndjenjë shumë të fortë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të luajë rolin e saj të rëndësishëm si partner dhe mik i ngushtë i këtij vendi. Ka gjëra që duam t’i shohim teksa ky partneritet zhvillohet. Ne duam normalizim të plotë për ju këtu në Kosovë, ndërmjet Kosovës dhe sigurisht, Serbisë. Mbretëria e Bashkuar ka një interes të theksuar për KFOR-in. E kam parë KFOR-in herën e fundit që isha këtu. Do ta shoh përsëri dhe është i rëndësishëm, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë tuaj”, tha sekretari i Jashtëm britanik Lammy.
“Të kemi dialog dhe përparim, që funksionon për njerëzit e Kosovës dhe Serbisë”
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha se shpreson që qeveria e ardhshme të trajtojë të gjitha nevojat e qytetarëve, duke përfshirë përparimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit dhe duke u angazhuar fuqimisht në rrugën drejt sigurisë së plotë në BE.
“Jam shumë i lumtur që isha me Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së dy vjet më parë në Bruksel për të diskutuar për Ballkanin Perëndimor dhe për të diskutuar për Kosovën në rrugëtimin e saj dhe pres me padurim të punoj me partnerët tanë të BE-së përsëri tani, duke luajtur rolin tonë të plotë me BE-në, duke siguruar që të kemi atë dialog, por edhe përparim, një përparim që funksionon për njerëzit e Kosovës dhe Serbisë”, tha tha sekretari Lammy.
Ai shtroi nevojën për më shumë punë të përbashkët që mund të bëjmë në lidhje me çështjen e krimit të organizuar.
“Këto rrjete të krimit të organizuar dëmtojnë stabilitetin, minojnë rajonin dhe kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët. Ne kemi thënë se duhet të intensifikojmë mbështetjen tonë për të luftuar këtë, dhe ne po punojmë në këtë drejtim me ju”, tha sekretari Lammy.
Pas takimit me Osmanin, Lammy: Diskutuam për bashkëpunim dhe marrëdhënie më të fortë e më të thellë
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy ka mbërritur dje në Kosovë, derisa sot ka pasur një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë takimit, ata kanë biseduar rreth çështjeve relevante në sektorin e sigurisë.
Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Lammy kanë dalë në konferencë për media, ku presidentja shfrytëzoi rastin të falënderojë sekretarin britanik për mbështetjen dhe ndihmën e pashoq të Mbretërisë së Bashkuar, ndaj Kosovës.
Lammy u shpreh se qëllimi i Tony Blairit ishte që Kosova të jetë e aftë të formësojë të ardhmen e saj, dhe se ai është i dedikuar për të njëjtin qëllim sot.
“Prandaj, me Osmanin diskutuam për një bashkëpunim dhe marrëdhënie më të fortë dhe më të thellë. Mezi pres të vij sërish në Kosovë” tha ai Lammy.
Tutje, Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar mirëpret progresin që vendi ka bërë në organizimin e zgjedhjeve dhe shpreson ne formimin sa më të shpejt të qeverisë së re.
Pas takimit: Osmani e falënderon Lammyn për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar po i jep Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, ku kanë biseduar për çështjeve relevante në sektorin e sigurisë.
Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Lammy dolën në konferencë për media, ku presidentja ka shfrytëzyuar rastin të falënderojë sekretarin britanik për mbështetjen dhe ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar, ndaj Kosovës.
Osmani ka shprehur mirënjohje për ndihmën e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë se Mbrojtjes.
“Natyrisht, diskutuam edhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, si dhe mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Diskutuam edhe për dialogun me Serbinë, pavarësisht se përballemi me sulme të kohë pas kohshme të Serbisë”.
“Për këtë gjë dua të përmend serish se është e domosdoshme të ketë llogaridhënie dhe vënie para drejtësisë të autorëve të krimit. Për këtë më duhet të them se fatkeqësisht nuk ka asnjë veprim, përfshirë për sulmin e shtatorit dhe atë ndaj ushtarëve të NATO-s në Kosovë”, u shpreh Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani pret në takim sekretarin britanik David Lammy
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret në takim Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.
Osmani dhe Lammy pas takimit do të deklarohen për media.
Kryediplomati britanik ka arritur në Prishtinë të martën mbrëma, ku është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij.
Ai po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, ku do të vizitojë edhe vendet të tjera rajonale.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë sot takohet me Osmanin
Sekretari i Jashtëm i Britanisë po viziton Kosovën. Sot ai pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani.
“Në orën 08:25, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq më pas Presidentja Osmani dhe Sekretari Lammy, do të deklarohen për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrat e tij, mbrëmë kanë shtruar një darkë pune për Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i cili ka arritu në Kosovë për vizitë zyrtare .
Ndryshe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, mbrem ka arritur në Ksoovë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, është pritur nga Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla,
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fuqishme e Kosovës, garanci e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe një partner kyç në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar. Kjo vizitë thekson angazhimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe avancimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Përveç arritjeve të rëndësishme të Kosovës, si forcimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe integrimi ndërkombëtar, Ministrja Gërvalla e informoi Sekretarin Lammy për sfidat e sigurisë në Ballkan, përfshirë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Ajo theksoi se vetëm përmes veprimeve të përbashkëta me aleatët mund të sigurohet ruajtja e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin dhe më gjerë.
“Partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet, me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Të tjera
Dialogu Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Barduanit dhe ambasadores greke
A po bën presidentja Osmani kalkulime për një mandat të dytë?
Su*lmi iz*raelit në Doha synonte shkatërrimin e gjithë procesit të negociatave