Njohësit e ҫështjeve politike vlerësojnë se nëse deputetët nuk bëjnë zgjidhje deri në këtë datë, vendi mund të futet në një krizë edhe më të thellë.
Por, thuajse jashtë kësaj krize politike po qëndron Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo deri më tani ka ndërmarrë vetëm disa veprime simbolike dhe procedurale, si letra drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, në të cilën kërkoi që të procedohet me konstituimin sa më shpejt të Kuvendit, takime dhe konsultime liderët e partive parlamentare, si dhe thirrje për zgjidhje politike të bllokadës, duke theksuar se kompetencat e saj janë të kufizuara nga Kushtetuta.
Por si po shihet roli i presidentes në krizën aktuale politike, a po ndërhyn apo a po mungon ndërhyrja e saj?
Agron Hoti: Presidentja po vepron me kalkulime për mandat të dytë, jo për zgjidhjen e krizës institucionale
Kështu, analisti politik Agron Hoti ka kritikuar qasjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj krizës aktuale institucionale, duke e cilësuar si pasive dhe të motivuar nga kalkulimet personale për një mandat të dytë presidencial.
“Së paku gjatë gjithë mandatit të saj, presidentja e vendit ka qenë në funksion të plotë të Qeverisë, pavarësisht se në fjalimin e fund vitit 2024 u përpoq të krijonte një distancë kritike ndaj saj. Roli i saj do të duhej të ishte shumë më aktiv, sidomos në këtë krizë të thellë politike, së cilës, për fat të keq, nuk po i shihet fundi”, vlerëson Hoti.
Ai thekson se veprimet politike të presidentes duken më shumë si lëvizje taktike për qëllime personale sesa për adresimin real të krizës.
“Me shumë gjasë, shqetësimi i saj primar është sigurimi i një mandati të dytë, jo konstituimi i Kuvendit. Kjo vërehet në mënyrën se si sillet në raport me partitë politike. Ajo po kalkulon si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thotë ai.
Hoti thotë se vendit i duhet një presidente që luan rol aktiv, që ruan paanshmërinë dhe që interesin shtetëror, në këtë rast, themelimin sa më të shpejtë të institucioneve, e vendos mbi çdo ambicie personale.
Bexheti: Kushtetuta po del të jetë gjenerator i krizës parlamentare
Ndërkaq, analisti politik Nexhat Bexheti, duke komentuar situatën e krijuar pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit, thotë se “ra ky moskonstituim dhe u panë boshllëqet e pengesave të mosfunksionalitetit të Kushtetutës”.
Sipas tij, qytetarët me të drejtë shtrojnë pyetjen: Pse presidentja Vjosa Osmani nuk ndërhyn për të kapërcyer krizën parlamentare?
“Në fakt, presidentja Osmani që në muajin maj i është drejtuar me një letër kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, duke i kërkuar që sa më parë të funksionalizohen institucionet e reja. Madje, ka sugjeruar që të thërriten partitë për një takim konsultativ. Mirëpo, paqartësitë kushtetuese dolën në pah si një dobësi sistemike”, vlerëson Bexheti.
Ai nënvizon se Kushtetuta nuk ia jep presidentes mandatin për të vepruar në mënyrë ekzekutive në raste kur shfaqen kriza të thella institucionale.
“Kjo është pikërisht ajo që duhet të rishqyrtohet. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit, prandaj është jetike që Kuvendi të hapë Kushtetutën dhe të ofrojë zgjidhje të qarta ligjore për këto situata. Duhet përcaktuar një afat strikt për konstituimin e Kuvendit dhe po ashtu duhet të ketë mekanizma për çështjen e kandidatit të propozuar për kryetar—sa herë mund të propozohet dhe çfarë ndodh kur nuk ka vullnet politik për ta votuar”, thekson ai.
Bexheti shton se presidentja Osmani është në komunikim të vazhdueshëm me partitë politike, si në mënyrë zyrtare, ashtu edhe përmes kontakteve joformale, por ajo nuk ka mandat për të negociuar koalicione.
“Këto janë çështje të brendshme të partive parlamentare. Kushtetuta gjithashtu nuk i jep të drejtë presidentes që të shpërndajë Kuvendin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja – këtë mund ta bëjë vetëm vetë Kuvendi, pasi të konstituohet. Sygjerimet e presidentes mund të merren parasysh, por ato nuk kanë karakter detyrues juridik”, tha ai.
Duke analizuar më tej, Bexheti vlerëson se në këto rrethana, Kushtetuta vetë po bëhet burim i krizës.
“Nëse e shohim nga prizmi politik, mandati i presidentes Osmani është rezultat i një marrëveshjeje politike ndërmjet partive, jo i votës direkte të qytetarëve. Kjo e bën atë më të kujdesshme dhe më të rezervuar në raport me partitë politike, sidomos nëse ajo synon të rikandidojë për një mandat të dytë. Ajo është e detyruar të veprojë në mënyrë strikte sipas Kushtetutës, e cila në këtë rast, për ironi, ia ‘lidh duart’ dhe nuk i jep hapësirë për të ndërhyrë efektivisht”, theksoi ai.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit