Prishtina fiton Kupën e Kosovës

Prishtina fiton Kupën e Kosovës

Prishtina është fituese e edicionit të sivjetëm të Kupës së Kosovës në futboll, pasi e ka mposhtur Llapin me rezultat minimal 1-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Finalja është vendosur në pjesën e dytë, pasi pjesa e parë ka përfunduar pa gola, ndonëse të dyja skuadrat kanë pasur raste të mira për të shënuar.

Për Prishtinën afër golit kanë qenë Axel Gnapi dhe Leotrim Kryeziu, mirëpo portieri kroat i Llapit, Marijan Çoriq, ka qenë në formë dhe i ka ndalur me sukses tentimet.

Në anën tjetër, Arianit Hasani ka rrezikuar për Llapin, por pa mundur ta mposhtë portierin Agron Kolaj.

Momenti me peshë i ndeshjes ka qenë në minutën e pesëdhjetë e tetë, kur Llapi ka mbetur me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Arbnor Ramadanit.

Vetëm dy minuta më pas, Prishtina ka kaluar në epërsi me një gol të bukur të Albin Krasniqit, i cili ka shënuar me një goditje të fuqishme jashtë zonës, duke përfituar edhe nga një devijim i lehtë i topit nga mbrojtësi Vokrri.

Kjo fitore jo vetëm që i sjell Prishtinës trofeun e Kupës, por gjithashtu i siguron klubit një vend në kualifikimet për garat evropiane.