Protesta e OVL e UÇK-së, zë kundër krizës politike apo përplasje me agjenda partiake?

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste paqësore, për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin lidhur me situatën aktuale politike në vend, konkretisht për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Protesta do të mbahet më 7 gusht 2025, duke filluar nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithë-popullore, me kërkesat e mëposhtme:

Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.

Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mos mbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së.

Protesta do të mbahet më 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skenderbeu” Prishtinë”, thuhet në njoftimin e OVL- UÇK-së.

Bilalli: Organizatorët t’u bëjnë të qartë partive politike se OVL e UÇK-së nuk kanë dalë në protestë për apetitet rreth pushtetit

Njohësi i politikës, Lutfi Bilalli në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se jo vetëm OVL e UÇK-së, por edhe qytetarët e gjithë Republikës janë të indinjuar me zhvillimet e fundit.

Image

Lutfi Bilalli

Sipas tij, sjellja e disa forcave politike në Kuvend ka marrë një trajtë absurde dhe të pakuptueshme.

“Mendoj që jo vetëm OVL e UÇK-së por të gjithë qytetarët e R. së Kosovës janë të brengosur për proceset politike që po kalon Kosova sidomos me “kryeneçësinë” e pakuptueshme të forcave politike në Parlament që çuditërisht janë dhëndëruar në pengesë të moskonstituimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës  (zgjedhjen e organeve -kryetarit dhe nënkryetarëve të parlamentit)”, thotë ai.

Tutje, thotë se protesta është një e drejtë e ligjshme dhe legjitime, por paralajmëron se duhet bërë kujdes i veçantë për të ruajtur neutralitetin politik, në mënyrë që organizata të mos bie pre e keqpërdorimeve partiake.

Ai thekson se protestat janë formë e drejtë dhe kushtetuese e shprehjes së pakënaqësisë qytetare, por sipas tij, organizatorët duhet ta bëjnë shumë të qartë se kjo protestë nuk është për të ushqyer apetitet për pushtet të askujt, por është zë kundër bllokadës institucionale.

“Paralajmërimi i Organizatës të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së ) se do organizojnë protestë duke shprehur pakënaqësinë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e drejt legjitime por, OVL e UÇK-së duhet të ruaj neutralitetin në raport me partitë politike që besojë që janë të vetëdijshëm rreth kësaj çështje ngase vlerat e luftës së UÇK-së janë sublime dhe përtej partive politike. A mund të keqpërdoret politikisht protesta e OVL e UÇK-së ? Kjo edhe mundet por organizatorët duhet të ju bëjnë të çartë partive politike se OVL e UÇK-së nuk janë dalë në protestë për apetitet e partive rreth pushtetit, cila do qoftë ajo parti por janë zë i pakënaqësisë për mos formimit e institucioneve të shtetit . Pra efekti i kësaj proteste të paralajmëruar për 7 gusht nga ana e OVL e UÇK-së, do arrij qëllimin duke ikur larg agjendave partiake. Besoj që drejtuesit e OVL-ve të UÇK-së, duhet të jenë më se e vetëdijshme për këtë në të kundërtën efekti do jetë minor”, shprehet ai.

Qaka: Protesta si e drejtë demokratike dhe reflektim mbi krizën politike në Kosovë

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Adnan Qaka, ka komentuar paralajmërimin për protestë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), e cila pritet të mbahet më 7 gusht si shenjë reagimi ndaj krizës politike dhe institucionale në vend, për të cilën thotë se është e drejtë legjitime.

Ai shton se kur cenohen interesat shtetërore dhe bllokohet funksionimi i institucioneve, reagimi qytetar përmes protestës është i natyrshëm dhe i domosdoshëm.

Image

Adnan Qaka

Së pari duhet theksuar se protesta është një formë e shprehjes së demokracisë së drejtpërdrejtë. Prandaj, kërkesa për protestë e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) është një e drejtë legjitime dhe demokratike. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kur e ndjejnë se të drejtat e tyre, si dhe interesat shtetërore, po cenohen.

Në këtë drejtim, OVL e UÇK-së ka të drejtë të reagojë përmes protestës për një shqetësim madhor që po prek themelet e shtetësisë së Republikës së Kosovës: krizën e thellë politike dhe institucionale që ka paralizuar funksionimin normal të Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore”, shprehet Qaka.

Ai thotë se për kuptuar më mirë këtë situatë, është e nevojshme të kthehemi tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 26 qershor, duke shtuar faktin se Gjykata në vendimin e saj, ka konstatuar qartë se Kuvendi duhet të përfundojë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Megjithatë, ndonëse ky afat përfundoi më 26 korrik, Kuvendi ende mbetet i pakonstituuar, ndërsa vendi po rrëshqet drejt një vakumi institucional shqetësues.

Për të kuptuar më mirë këtë situatë, është e nevojshme të kthehemi tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 26 qershor. Gjykata ka konstatuar se deputetët janë të obliguar që, jo më vonë se 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.

Në këtë aktgjykim, Gjykata nuk u shpreh për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, por theksoi se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve është parakusht për funksionalizimin e Kuvendit. Kjo nënkupton që të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në votim, me qëllim që Kuvendi të nisë punën si organ ligjvënës dhe vendimmarrës.

Megjithatë, përgjegjësia për këtë situatë nuk bie vetëm mbi partitë politike, por edhe mbi vetë Gjykatën Kushtetuese. Aktgjykimi nuk ka qenë i mjaftueshëm i qartë dhe nuk ka përcaktuar me saktësi veprimet që duhet ndërmarrë nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit ligjor. Kjo ka krijuar një vakum institucional dhe ka hapur terren për interpretime të ndryshme sipas interesave të palëve.

Aktgjykimi nuk parasheh asnjë pasojë të qartë në rast të tejkalimit të afatit 30-ditor, i cili në këtë rast përfundoi më 26 korrik. Prandaj, vendi ndodhet në një situatë të pasigurt, me një Kuvend të pakonstituuar dhe me një krizë të thelluar politike që vetëm sa po përkeqësohet”, sqaron ai.

Në fund, ai thekson se për të tejkaluar bllokadën institucionale, është thelbësore një marrëveshje politike mes partive parlamentare, me përgjegjësi të veçantë për Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Por as PDK, LDK dhe AAK-Nisma nuk mund të shmangin përgjegjësinë politike dhe morale për këtë krizë.

Kurse, për protestat e paralajmëruara nga OVL e UÇK-së thotë se është legjitime, por nuk duhet të jenë të njëanshme. Nëse ajo perceptohet si e drejtuar vetëm kundër qeverisë, rrezikon të shndërrohet në mjet politik të opozitës, duke humbur qëllimin qytetar.

Për ta tejkaluar këtë bllokadë, është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet subjekteve parlamentare. Pesha kryesore e përgjegjësisë për krijimin e vullnetit politik bie mbi partinë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – Lëvizja Vetëvendosje. Por nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohen as partitë tjera kryesore si PDK, LDK dhe koalicioni AAK-Nisma.

Edhe pse nuk ka sanksione ligjore për mosarritjen e marrëveshjes deri më 26 korrik, partitë politike mbajnë përgjegjësi të madhe politike, etike dhe morale përpara qytetarëve që i kanë zgjedhur. Prandaj, OVL e UÇK-së ka të drejtë të protestojë kundër të gjitha partive politike që po mbajnë peng konstituimin e Kuvendit dhe zgjidhjen e krizës.

Megjithatë, protesta nuk duhet të jetë e njëanshme apo e instrumentalizuar politikisht. Nëse OVL e UÇK-së proteston vetëm kundër qeverisë aktuale, atëherë me të drejtë do të shihej si e afërt me subjektet opozitare si PDK, AAK apo Nisma, duke ia humbur kështu qëllimin parimor dhe qytetar protestës. Për një efekt real dhe mbështetje të gjerë popullore, protestat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pa dallime politike, në të mirë të shtetit dhe qytetarëve.

Përveç krizës politike, protestat duhet të adresojnë edhe gjendjen alarmante ekonomike që po përjeton vendi: inflacionin e lartë, mungesën e investimeve të huaja, strategjitë e gabuara zhvillimore dhe mungesën e një vizioni të qartë ekonomik. Fatkeqësisht, asnjë parti politike dhe asnjë qeveri që nga paslufta nuk ka pasur një vizion të mirëfilltë ekonomik, as në letër e lëre më në praktikë.

Është koha që qytetarët e Kosovës të kërkojnë me forcë përgjegjësi politike, zgjidhje institucionale dhe vizion zhvillimor për të ardhmen e shtetit tonë”, përfundoi ai.