Nga Lirim Gashi
Lotët e nënave shqiptare nuk kanë nevojë për spektakël. Ato nuk dalin në konferenca për shtyp, nuk ulen në karrige luksoze, nuk bëjnë deklarata patriotike me stilolapsa “Montblanc” në dorë. Lotët e tyre kanë rënë mbi dhe të ftohtë, mbi gurë varresh të zbrazët, mbi pragje shtëpish që nuk panë kurrë më djemtë e kthyer nga lufta.
Ata që kanë parë me sytë e tyre kufoma të djegura, shtëpi të rrënuara dhe foshnja të ngrira nga uria, e dinë mirë se çfarë është dhimbja. Dhe pikërisht ata nuk kanë pse të ndjehen keq sot për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Xhavit Halitin apo Sami Lushtakun.
Sepse këta njerëz nuk ishin viktima. Ata nuk ishin të përvuajtur. Ata nuk ishin të përndjekur. Përkundrazi – ata ishin përfituesit më të mëdhenj të gjakut dhe sakrificës së popullit.
Ata që e kthyen luftën në monopol politik.
Ata që për dekada u kujdesën vetëm për pushtetin e tyre, ndërsa varret e të zhdukurve mbetën pa eshtra, pa lule dhe pa drejtësi.
Këta emra e shndërruan Kosovën e lirë në një burg të korrupsionit. Ata ngritën vila mbi eshtrat e dëshmorëve, u pasuruan duke shitur ndërmarrjet publike, dhe e mbajtën popullin në varfëri – një popull që çdo ditë e më shumë largohej nga vendi që ata e patën për detyrë ta ndërtonin.
A mund të kemi mëshirë për ta?
Jo.
Mëshira është për ata që nuk e panë më kurrë agimin. Për ata që mbetën nëpër varre masive. Për ata që sot jetojnë me lëmoshë, ndërsa bijtë e pasluftës udhëtojnë me makina miliona euroshe.
Lotët e rremë që derdhen për këta “liderë” nuk vlejnë asgjë.
Lotët e vërtetë janë tharë prej kohësh në sytë e nënave shqiptare – dhe askush nuk ka të drejtë t’i përbaltë duke i krahasuar me dhimbjet e atyre që për vite sunduan e plaçkitën këtë vend.
Ata nuk meritojnë dhembshuri.
Ata meritojnë vetëm përballje me drejtësi.
Të tjera
9 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri në gusht, më shumë se një e treta ishin nga Kosova
Duam të tregojmë lojë më sulmuese, të bëjmë presion të lartë dhe të ruajmë topin me kurajë
Shkelje në dhënien dhe menaxhimin e pronës publike në tetë komuna