Takimi i sotëm ndërmjet Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku ka përfunduar pa marrëveshje, duke thelluar edhe më shumë pasigurinë politike në vend. Pavarësisht pritjeve për një kompromis që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit brenda afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, palët duket se mbeten ende larg një qëndrimi të përbashkët.
Ky zhvillim e vë Kosovën përballë një skenari gjithnjë e më të mundshëm të zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet një zgjidhje në ditët e mbetura.
Tani, më shumë se kurrë, vëmendja është tek hapat e radhës të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës: a do të lëshojnë pe për të shmangur krizën institucionale, apo vendi po shkon drejt një tjetër përballjeje zgjedhore?
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili tha se vendi është shumë afër zgjedhjeve të reja, kjo krejt si pasojë që liderët politikë s’po arrijnë kompromis.
“Duke njohur kokëfortësinë e liderëve politikë dhe paaftësinë e tyre për kompromis, duke se vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.
Demokracia, në thelb, është rend kompromisi, megjithatë, liderët e opozitës politike po përpiqen të kompensojnë atë që kanë humbur në zgjedhje, duke u sjellë sikur posti i presidentit është interes vetëm i Qeverisë, e jo i Kosovës.
Ky qëndrim është thellësisht i papërgjegjshme dhe po dëmton stabilitetin institucional. Barrikadimi politik është i dukshëm. Askush nuk mund të fitojë më shumë sesa i ka dhënë populli me votë, dhe përpjekjet për ta deformuar këtë vullnet përmes presioneve apo kalkulimeve taktike do të dështojnë.
Edhe nëse dialogu vazhdon në nivel formal, mungesa e emrave konkretë dhe e një platforme të përbashkët tregon se palët nuk janë ende në fazën e vendimmarrjes, por në atë të kalkulimeve taktike”.
“Paradoksi qëndron në faktin se, me këtë kokëfortësi, partitë rrezikojnë të defaktorizojnë vetveten. Një nga arsyet e këtij refuzimi të kompromisit mund të lidhet me frikën nga forcimi i shtetit ligjor, veçanërisht mekanizma si konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme—që perceptohen si kërcënim direkt ndaj interesave të tyre të akumuluara pas luftës.
Në skenën aktuale politike nuk shihet një kandidat konsensual. Koha po kalon pa sinjale konkrete, pa emra dhe pa iniciativë serioze. Figura si Hamza, ngjashëm si Memli Krasniqin dikur, nuk kanë arritur të ndërtojnë një profil të pavarur politik, por veprojnë kryesisht në funksion të direktivave të jashtme. Hamza lufton për dikë, apo për disa veta, jo për shtetin”, shtjelloi ai.
“Zgjedhjet eventuale nuk do të garantojnë zgjidhje, pasi fragmentimi politik mund të prodhojë përsëri mungesë të votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Kushtetuta e imponon kompromisin, këta e refuzojnë.
Në thelb, përplasja nuk është thjesht politike, por sistemore: mes atyre që e duan forcimin e shtetit ligjor dhe atyre që e sabotojnë atë. Dhe, si pasojë, kompromisi bëhet i pamundur”.
Në fund, ai shtoi se, fatkeqësisht nuk ka shenja që tregojnë se do kemi ndonjë zgjidhje për këtë çështje.
Në fund, pyetja nuk është më nëse do të ketë marrëveshje, por nëse klasa politike është e gatshme të vendosë interesin e shtetit mbi interesin partiak. Deri tani, të gjitha shenjat tregojnë të kundërtën”, përfundoi Lis Bukuroca



Të tjera
Çfarë i ndodh trupit kur nuk hani mish
Selin Bollati reagon pas fitores në BBVA 5: Postim emocional i publikuar
Rogert reagon me video sfiduese: “Më thanë s’mund të hysh në Shkodër, ja ku jam”