45 të dyshuarit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë, do të ballafaqohen me drejtësinë e Kosovës. Tre prej tyre, fizikisht pasi janë të arrestuar. E të tjerët do të gjykohen në mungesë. Aktakuza e Prokurorisë Speciale është ngritur sot
Prej vitit 2017 deri në 24 shtator 2023, kryeterroristi Milan Radoiçiq, kishte nisur me grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit që u krye në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Kështu të paktën thuhet në pjesën hyrëse të aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila është ngritur sot. Nacionale e ka siguruar aktakuzën, në të cilën janë të përfshirë 45 persona, në mesin e të cilëve edhe Milan Radoiçiq.
“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoićić, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi I pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzën.



Të tjera
“Hani më mirë, jo më pak”
Policia arreston dy persona në Ferizaj, sekuestrohen marihuanë, para, armë dhe pajisje tjera
Mori 200 euro nga një lokal në Podujevë, arrestohet shtetasi i Serbisë