Sallahu demanton deklaratat se janë ndalur fondet për të akuazuarit në Hagë: Qeveria ka paguar 32 milionë euro për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Qeveria ka paguar 32 milionë euro për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i ka reaguar ish-këshilltarit të Presidentit Hashim Thaçi Artan Behrami i cili mbrëmë në emisionin “Tempus” në KTV ka thënë se PDK-ja nuk do ta mbështesë Haxhiun pasiqë sipas tij ajo pengoi mbrojtjen dinjitoze të Thaçit në Hagë.

Sallahu ka thënë se  është e pavërtetë se janë ndaluar fondet për mbrojtjen financiare të ish- krerëve të UÇK-së dhe se deri më tani qeveria e Kosovës ka paguar 32 milionë euro.Ai në një postim ne llogarinë e tij “Facebook” ka thënë se po vazhdon ekzekutimi i pagesave sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Postimi i tij i plotë:

“Është tërësisht e pavërtetë që Ministria e Drejtësisë i ka ndaluar fondet për mbrojtjen financiare të ish- krerëve të UÇK-së. Ne vazhdojmë t’i ekzekutojmë pagesat sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Nga viti 2021, kur edhe ka filluar ekzekutimi i pagesave, e deri me 16 maj 2025, kemi ekzekutuar për mbrojtjen financiare të ish krerëve të UÇK-së, 31 milionë e 985 mijë e 214 euro.

Ata që e kanë bërë Gjykatën Speciale, kot mundohen të mashtrojnë me gënjeshtra! Ministria e Drejtësisë do ta adresojë secilën përgjegjësi që ka. Kushëdo që është i/e interesuar të dijë më shumë për shpenzimet, jemi të hapur t’ju ofrojmë qasje.”, ka shkruar në Sallahu.