Qeveria miraton propozimin për trupat institucionalë drejt integrimit në BE

Qeveria miraton propozimin për trupat institucionalë drejt integrimit në BE

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e 11-të propozimin për themelimin e trupave të reja institucionale që synojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se këto mekanizma do të shërbejnë për koordinimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për statusin e vendit kandidat në BE.

“Ky propozim-vendim synon themelimin e trupave institucionale që do të koordinojnë procesin e avancimit të Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Përmes këtyre mekanizmave forcohet kapaciteti shtetëror për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të integrimit evropian”, deklaroi Kurti.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet projekti më i suksesshëm i paqes, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në kontinent, duke e cilësuar orientimin e Kosovës drejt tij si strategjik dhe të palëkundur.

“BE mbetet projekti më i suksesshmi i paqes, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në kontinent, ndaj edhe orientimi ynë drejt tij është strategjik dhe i palëkundur”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, vendimi konfirmon përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian me vendosmëri dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional.