Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 4 milionë eurove për subvencionimin e pagave për minatorët e Trepçës, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës kanë bërë të ditur se nuk do ta mbajnë protestën e thirrur për ditën e enjte.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se qëllimi i minatorëve për ekzekutimin e pagave është realizuar.
“Sot më datë 14.08.2024 Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një shumë prej 4 milionë për subvencionimin e pagave për minatorët e Trepca Sh.A.
Qëllimi i minatorëve për ekzekutimin e pagave thuajse është realizuar, ndaj edhe e vlerësojmë të paarsyeshme mbajtjen e protestës ditën e nesërme. Ky edhe ka qenë qëllimi i vetëm i protestës dhe se në asnjë moment kërkesave të minatorëve nuk mund dhe nuk duhet t’i vihen ngjyrime politike”, thuhet në postim.
Tutje në postim thuhet se minatorët nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë asgjë tjetër, përveç kushte për punë dhe paga dinjitoze.
“Përkushtimi ynë për punë në minierë është dhe do të mbetet përherë i palëkundur. Prandaj lusim të gjithë minatorët t’i kthehen punës”.



Të tjera
Maqedonci nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës
Barcelona bën lëvizje “shokuese” për Harry Kane
Egjiptit i ndalohet hyrja në qytetin e SHBA-së pas fitores ndaj Zelandës së Re, zbulohet arsyeja