“Qeverisja sipas Kurti-t: Profesionistë mbi politikë, një hap i guximshëm”

Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se që nga krijimi i Qeverisë Kurti I, në opinion ka pasur skepticizëm dhe mosbesim, sidomos ndaj ministrave që vinin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, por sipas tij, ky perceptim u ndërtua mbi paragjykime dhe përfolje dashakeqe.

“Në opinion qarkullonin përfolje nga më të ndryshmet, duke u thënë se ‘këta nuk i ka uruar askush kurrë me punë të mbarë’ apo se ‘nuk kanë pasur as xhirollogari bankare të hapur’”, shprehet Zeqiraj.

Ai ngre pyetjen se ku do të mund të punësoheshin aktivistët e Vetëvendosjes, të cilët sipas tij, kishin kundërshtuar hapur pazaret politike me Serbinë, korrupsionin zyrtar, tenderët abuzivë dhe privatizimet e dëmshme për pasurinë publike.

Sipas Zeqirajt, dallimi kryesor i Albin Kurtit nga liderët e mëparshëm politikë është integriteti personal.

“Risi e rëndësishme ishte edhe emërimi i profesionistëve jashtë partisë, të cilët u dëshmuan të suksesshëm në detyrat e tyre”, deklaron Zeqiraj.

Ai thotë se ndryshe nga Qeveritë Kurti I dhe II, të cilat udhëhiqeshin kryesisht nga ministra rishtarë, Qeveria Kurti III ka tashmë përvojë cilësore, gjë që sipas tij u konfirmua edhe nga fitorja e tretë radhazi e Vetëvendosjes me aleatët.

“Fitorja plebishitare e demanton bindshëm pretendimin se populli është mashtruar me votën e dhënë”, thotë Zeqiraj.

Ai përmend edhe Armend Mujën, duke thënë se do të vazhdojë drejtimin e suksesshëm në Bujqësi, ndërsa për Nenad Rashiqin thekson se është ministër komunikues dhe i pranueshëm për të gjitha komunitetet.

“Prurjet e reja në Vetëvendosje janë intelektualë të formuar në universitete evropiane dhe botërore. Kuantiteti sjell edhe kualitetin, dhe mundësia e përzgjedhjes së kuadrove është gjithnjë e më e madhe”, përfundon Zeqiraj, duke uruar mbarësi për qeverinë dhe shtetin.