Kryedemokrati Sali Berisha akuzon se bandat kriminale në vend, sipas tij, janë të lidhura me shtetin.
Duke iu referuar ngjarjes së Shkodrës, z. Berisha tha se kartelet e përdorura për qëllime elektorale janë sundimtarët e Shkodrës, të cilët qytetin e konsiderojnë si trofeun e tyre.
“Unë kam deklaruar dhe në mënyrë të përsëritur, deklaroj se bandat kanë licencë për vrasjet nga Edi Rama. Sot, thuhet se disa nga këta ishin aktivë në fushatën elektorale të Edi Ramës. Unë nuk merrem, në kuptimin e asaj që secili ka të drejtë të ketë bindjen e tij, por përdorimi i krimit për qëllime elektorale është ajo çka ne kemi thënë,” deklaroi kryedemokrati.
Edhe në këtë komunikim me gazetarët, z. Berisha iu rikthye çështjes McGonigal. Ai akuzon shefin e qeverisë se bashkëpunoi me McGonigal për afera të paligjshme, sikundër për të dëmtuar opozitën. Kryedemokrati akuzoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, se heshtja për këtë dosje e implikon, ndërsa garantoi se opozita do të depozitojë para autoriteteve ndërkombëtare çdo provë që disponon.
“Jemi plotësisht të gatshëm dhe disponojmë prova të shumta. Disponojmë prova të shumta qoftë për Edi Ramën, qoftë për Altin Troplinin, qoftë për të tjerë. McGonigal e shndërroi Tiranën në një lagje të aktiviteteve të tij kriminale ku nga kryeministri e poshtë ishin në shërbim të tij. Por këtu hetimi duhet të përfshijë edhe Altin Troplinin, që ka dy vjet që e mban dosjen në sirtar,” tha z. Berisha.
Partia Demokratike e ka depozituar dy vite më parë në SPAK dosjen McGonigal, ndërsa i është drejtuar sërish institucionit me prova të reja përmes Gazment Bardhit, të cilat sipas tij faktojnë se kryeministri Rama korruptoi ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal./rtsh.al
Të tjera
Policia në veri sekuestron një veturë me targa serbe, me dy kamera brenda
Rexhbeçaj ndez ‘Fadil Vokrrin’, Kosova në epërsi
Sërish gol! Muriqi shënon golin e dytë