Ish-ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit, i cili kritikoi KQZ-në për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, përcjell KosovaPost.
Haxhiu e ka quajtur “të çuditshëm dhe të padrejtë” reagimin e institucionit që, sipas saj, po dështon ta përfaqësojë drejt emrin që mban.
“Si është e mundur që për një subjekt si Lista Serbe, që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh shtetin, ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tri ditë zie për terroristët e vrarë, Avokati i Popullit shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi?”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo shton se reagimi bëhet edhe më problematik kur merret parasysh fakti se, sipas saj, Avokati i Popullit nuk ka shprehur asnjë shqetësim për tendencat dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës.
Haxhiu thekson se institucioni nuk duhet të funksionojë me “standarde të dyfishta”, duke rikujtuar se vendimi i KQZ-së nuk është kundër subjekteve serbe apo qytetarëve serbë, pasi disa parti serbe tashmë janë certifikuar. “Arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe janë të njohura dhe të justifikuara”, shtoi ajo.
Sipas nënkryetares së Kuvendit, selektiviteti i Avokatit të Popullit bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që ky institucion duhet t’i garantojë.



Të tjera
Meshkujt vuajnë nga depresioni pas lindjes së fëmijës po aq sa gratë
Marta Kos sot në Kosovë, takohet me Haxhiun dhe Kurtin – kjo është agjenda e saj
Janjiq: Lista Serbe në krizë, Rashiqi nuk duhet nënvlerësuar – po afrohet një betejë e vështirë politike për serbet në Kosovë