Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka demantuar informacionet e publikuara në disa media lidhur me pretendimet se janë bërë publike rezultatet laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga Inspektorati më 2 korrik 2026, transmeton KosovaPost.
Përmes një reagimi zyrtar, AUV ka bërë të ditur se nuk ka përcjellë asnjë email me rezultate, pasi analizat laboratorike ende nuk kanë përfunduar.
“AUV njofton opinionin publik se ky lajm me këto rezultate nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit dhe as nuk vjen nga institucioni ynë. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”, thuhet në reagim.
Sipas AUV-së, vetëm pas përmbylljes së procedurave laboratorike do të mund të jepen konstatimet përfundimtare lidhur me mostrat e marra gjatë inspektimit.
Në fund, Agjencia u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që t’u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të institucionit dhe të shmangin publikimin e informacioneve të paverifikuara, të cilat, sipas saj, mund të dezinformojnë qytetarët dhe të dëmtojnë besimin në procesin zyrtar të kontrollit.



Të tjera
Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare
Gjykata Supreme në shqyrtim të ankesave zgjedhore, afati vetëm edhe dy ditë
Përfaqësuesit e përhershëm të NATO-s vizitojnë mauzoleunin Anitkabir të Ataturkut