Politika e re amerikane kërkon më shumë nga Ballkani Perëndimor dhe premton më pak nga vetja. Ajo zhvendos fokusin te bashkëpunimi ekonomik, dhe lë në plan të dytë rolin tradicional politik dhe të sigurisë.
Në një rajon me institucione të brishta dhe tensione të hapura, kjo qasje nuk është pa rrezik.
Bashkëpunëtorja e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, Heather Conley, veçon Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën si vendet më të cenueshme – e para për shkak të strukturës së fragmentuar shtetërore dhe ndarjeve etnike, e dyta për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Serbinë dhe varësisë nga bashkësia ndërkombëtare për sigurinë.
Ajo thotë se zhvendosja drejt “pronësisë lokale”, pa lidership të qartë dhe pa strategji të detajuar, mund të thellojë bllokadat ekzistuese dhe të forcojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar, ndonëse e konsideron të nevojshme qasjen e re.
“Unë mendoj se zgjidhjet duhet të vijnë dhe të mbështeten nga vetë vendet, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Përpjekjet e forcave të jashtme transatlantike për të imponuar zgjidhje, nuk kanë pasur sukses, pavarësisht se janë provuar si mbi njërën, ashtu edhe mbi tjetrën palë. Kosova dhe Serbia, për shembull, i kanë shfrytëzuar marrëveshjet për të rritur nacionalizmin në të dyja anët”, thotë Conley për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi nga fundi i majit një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan.
Dokumenti thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar dhe se angazhimi i SHBA-së do të fokusohet më shumë në stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë, sesa në ndërhyrje direkte për rindërtim apo “shpëtim” të rajonit.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës për koment mbi dokumentin amerikan, por nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.
Ajo që vihet re është se qasja amerikane tani, dallon qartë nga politika e viteve ’90, kur Shtetet e Bashkuara luajtën rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan.
Atëkohë, Uashtingtoni udhëhoqi procesin e arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare në Bosnje, ndërsa më vonë drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.



Të tjera
Pesë të arre*stuarit në rastin “Reçaku II” ishin pjesëtarë të MPB-së serbe
Mban erë vere dhe qetëson si pak gjë tjetër: Ja si thahet livanda që të zgjasë me vite
Vd*es gruaja e lënduar rëndë në ak*sidentin në Autostradën “Ibrahim Rugova”