Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve mbi 90 për qind ka shkuar rinumërimi i vendvotimeve që i janë nënshtruar këtij procesi me vendim të KQZ-së.
Deri në ora 16:00 të kësaj të enjte, siç ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në 34 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit, derisa, sipas tij, kanë mbetur për t’u rinumëruar vetëm edhe 228 vendvotime nga 2, 557 sa janë në total.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 90% apo 2,329 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 34, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 228 vendvotime që i takojnë 4 komunave tjera (Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë dhe Suharekë)”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka bërë të ditur se në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.
Vendimet e KQZ-së për rinumërim erdhën si rezultat i evidentimit të manipulimit të votave të kandidatëve dhe falsifikimit të rezultateve, për çka u aktivizua edhe Prokuroria e Shtetit derisa një numër komisionerësh janë në masën e paraburgimit,si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
KQZ-ja ka paralajmëruar se me t’i përmbyllur procesi i rinumërimit , në fillim të shkurtit do t’i shpallin rezultatet përfundimtare.



Të tjera
Franca lëviz drejt shfuqizimit të konceptit të detyrimit martesor për të kryer marrëdhënie seksuale
Haradinaj uron ambasadorin japonez për Ditën Kombëtare: Japonia, partner i fuqishëm
Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të ko*ntrabanduara në Pejë e Gjakovë