Komiteti Paralimpik i Kosovës ka prezantuar marrëveshjen për financimin vjetor për vitin 2026 me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, e cila parasheh rritje të buxhetit dhe synon avancimin e lëvizjes paralimpike në vend, raporton Ekonomia Online.
Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, tha se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm për komunitetin e sportistëve me aftësi të kufizuara dhe krijon kushte më të mira për zhvillimin e parasportit.
“Kjo marrëveshje për financimin vjetor për vitin 2026 përfaqëson një hap të rëndësishëm për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe për gjithë komunitetin e sportistëve me aftësi të kufizuara. Rritja e buxhetit këtë vit, si rezultat i mbështetjes nga Ministria e Sportit dhe Rinisë, reflekton vlerësimin për punën dhe angazhimin tonë dhe krijon kushte më të mira për zhvillimin e parasportit në Kosovë. Dua të shpreh falënderimin tonë për Ministrinë e Sportit dhe Rinisë dhe për Ministrin, Blerim Gashani. Për mbështetjen dhe besimin që po i jepet zhvillimit të parasportit në vend”, tha ajo.
Ajo theksoi se rritja e buxhetit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktiviteteve dhe rritjen e pjesëmarrjes së sportistëve në gara ndërkombëtare.
“Kjo marrëveshje dhe rritja e buxhetit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e lëvizjes paralimpike. Duke mundësuar zgjerimin e aktiviteteve, forcimin e strukturave dhe krijimin e mundësive më konkrete për përfshirjen dhe zhvillimin e sportistëve me aftësi të kufizuara. Për të arritur rezultate konkrete, kjo mbështetje kërkon një angazhim më të madh dhe një orientim më të qartë nga federatat, të cilat po ashtu përfitojnë financimin nga ministria. Drejt zhvillimit të sportit garues dhe rritjes së pjesëmarrjes reale të sportistëve në gara ndërkombëtare. Është e rëndësishme që burimet dhe mbështetja ekzistuese të shfrytëzohen në mënyrë sa më efektive, me fokus në ndërtimin konkurrues dhe në arritjen e rezultateve të matshme. Si komitet, kemi intensifikuar angazhimin tonë, duke marrë një rol edhe më aktiv në mbështetjen e drejtpërdrejtë të sportistëve, me qëllim që të sigurojmë pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare dhe të krijojmë mundësi reale për avancimin dhe përfaqësimin dinjitoz në Kosovë”, tha ajo.
Këshilltarja e ministrit të Sportit, Donika Zogu, tha se rritja e buxhetit është rezultat i një qasjeje të qëndrueshme institucionale ndaj parasportit dhe reflektim i punës së komitetit.
“Po e mbajmë një premtim shumë të rëndësishëm për sportin e vendit tonë, domethënë siç e përmendi edhe presidentja, rritjen e buxhetit për komitetin paralimpik. Normalisht që u përmend që kjo rritje nuk është e rastësishme, është rezultat i një qasje serioze edhe të qëndrueshme sa i përket Ministrisë së Sportit edhe Rinisë ndaj parasportistëve tanë, por edhe një reflektim i drejtpërdrejtë i punës së jashtëzakonshme që e ka bërë komiteti paralimpik në organizim dhe fuqizimin e komunitetit. Na e kemi shumë të qartë se parasportistët tanë nuk përfaqësojnë vetëm suksese sportive, por edhe vlera të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë dhe fuqizimit të komunitetit, përkushtim, dinjitet njerëzor”, tha ajo.
Ajo shtoi se federatat që veprojnë në kuadër të Komitetit Paralimpik tashmë financohen drejtpërdrejt nga ministria.
“Na sot paradite edhe që kemi pasur edhe një takim ku e kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit dhe rritjes së buxhetit edhe atë e kemi theksuar, por edhe sot këtu përpara të gjithë juve dua ta theksoj se federatat që veprojnë brenda komitetit paralimpik, siç edhe u përmendën, siç është federata e boçias, paravolejbollit dhe parabasketbollit, tashmë për tre vite radhazi ato financohen drejtpërdrejt nga Ministria e Sportit edhe e Rinisë”, tha ajo.
Ndërkaq, sekretarja Arjeta Gashi bëri të ditur se rritja e buxhetit për këtë vit është 10 për qind krahasuar me buxhetin aktual.




Të tjera
Haxhiu vlerëson lart arritjet e talentëve të matematikës
Ushqimet që lehtësojnë simptomat e artritit
Rritet buxheti për Komitetin Paralimpik të Kosovës për vitin 2026