Rritja e pensioneve nga Qeveria për 20%, kategoritë e luftës përfitojnë nga janari 2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konference për media, ka njoftuar se është marrë vendimi për rritjen e pensioneve për 20 për qind.

Pensionet do të rriten nga muaji tetor, ndërsa për kategoritë e luftës do të fillojnë nga muaji janar i vitit 2025.

“Duke filluar nga muaji tetor 2024 do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si në vijim: pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepcës. Ndërkaq nga muaji janar i vitit 2025 do të rriten për 20 për qind pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK’së, viktimat e dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre”, tha Kurti.