Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se administrata e drejtuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e riorganizon Departamentin amerikan të Shtetit (DASH).
Ky vendim u mor, sipas Rubios, në mënyrë që të eliminohen zyrat që administrata e Trumpit i konsideron të tepërta dhe për të shkurtuar disa programe që thotë se nuk përputhen me interesat e SHBA-së.
“Kjo qasje do të fuqizojë Departamentin që nga themeli, nga zyrat te ambasadat”, tha Rubio në një deklaratë, duke i përshkruar lëvizjet si pjesë e agjendës së Trumpit për ta vendosur SHBA-në në rend të parë, si prioritet.
“Funksionet specifike për rajone do të konsolidohen për ta rritur funksionalitetin, zyrat e tepërta do të hiqen dhe programet jo-statutore, që nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Amerikës, do të pushojnë së ekzistuari”, tha Rubio.
Punën që më parë e kryente nënsekretari për Siguri Civile, të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci tani do të vendoset nën një koordinator të ri për Ndihmën e Jashtme dhe Çështjet Humanitare, shtoi ai.
Rubio, i cili shërben edhe si mbikëqyrës i administratës së shkatërruar të USAID-it, kritikoi rritjen e departamentit ndër vite, duke e quajtur atë “të fryrë, burokratik dhe të paaftë për të kryer misionin e tij thelbësor diplomatik në këtë epokë të re të konkurrencës së fuqive të mëdha”.
Ky riorganizim vjen pasi Trump në shkurt urdhëroi ndryshime në Shërbimin e Jashtëm të SHBA-së – trupit diplomatik të vendit – për të siguruar që ajo të ndiqte agjendën e tij të politikës së jashtme, raporton REL.
Zyrtarët amerikanë në mars thanë se departamenti po përgatitej gjithashtu të mbyllte gati një duzinë konsullatash. Por, në njoftimin e Rubios nuk u tha asgjë për konsullata.
Të tjera
Shukri Buja nis fushatën në Lipjan me një atmosferë elektrizuese!
KFOR jep detaje për takimin lamtumirës mes Barduanit dhe Presidentes Osmani
Kurti mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të Qendrës Trajnuese Diakonie, në Mitrovicë