Samiti i Berlinit: Albin Kurti pritet të diskutojë çështje rajonale dhe integrimin evropian

As përgjatë këtyre dy ditëve nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim sa i përket krijimit të Qeverisë së re të vendit. Kjo pasi seanca e Kuvendit të Kosovës nuk do të thirret as për sot, nesër apo pasnesër.

Kryeministri në detyrë, njëherësh i mandatuari tanimë për qeverinë e re- Albin Kurti do të udhëtojë për në Londër. Kurti do të përfaqësojë Kosovën në samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet më 22 tetor në Londër.

Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar mandatin përmes së cilit ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Sipas presidentes ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të mandative në Kuvend nga rezultat e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidentes. Mandatimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re u mundësua vetëm një ditë pas Parlamenti i Kosovës përfundoi një proces të stërzgjatur të konstituimit me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit Nenad Rashiq nga radhët e komunitetit serb. Rashiq nuk është nga lista Srpska, ndonëse kjo e fundit pretendon që nënkryetari i kuvendit u zgjodh jashtëligjshëm dhe se i takon asaj ky post, sepse është grupi  më i madh parlamentar  me nëntë deputetë nga radhët e komunitetit serb.”

Pavarësisht se kanë kaluar shumë muaj- Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë.

Kuvendi i Kosovës u konstituua me shumë vështirësi, derisa Lista Serbe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb e çoi edhe një herë në Kushtetuese.

Kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese të cilët thanë se kanë pranuar tanimë ankesën e Listës Serbe e cila do të trajtohet në vazhdim.

Kurse ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur mbi krijimin e qeverisë së re.  Në konferencën për media, ai tha se dita e fundit për ta prezantuar kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori.

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori. Shumë shpejt, qysh në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore”.

Nëse nuk ka qeveri të re, Kurti u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja.

“Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja. Gatishmëria jonë është e plotë, por një herë plani ynë është për qeverinë Kurti 3”.

Nëse ai nuk arrin t’i sigurojë 61 vota deri më 26 tetor, presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë dërguar sinjale të ndryshme muajve të fundit për mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, e cila ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë edhe me pakicat joserbe për formimin e Qeverisë./lajmi.net