Gjykatës Kushtetuese të Kosovës po i kërkohet të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit, megjithëse kryeparlamentari, Dimal Basha, ka mbyllur punimet e seancës konstituive, shkruan KosovaPress.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë masë të përkohshme, pas ankesës së Listës Serbe në organin më të lartë juridik në vend. Sipas tyre, Kuvendi nuk është konstituuar pasi nuk është zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Vendimmarrje të shpejtë të Kushtetueses pret edhe ish-gjyqtari në këtë institucion, Kadri Kryeziu.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për këtë rast, dhe mundësitë për të vendosur masë të përkohshme, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 30 gusht, pasi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, mori vendim që zgjedhja e dy nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë të bëhet ndaras dhe jo në pako, sikurse ka qenë praktika e kaluar.
Hulumtuesi në IKD, Melos Kolshi, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese pas vendosjes së masës së përkohshme duhet të dalë me aktgjykimin final në një periudhë të shpejtë, në mënyrë që të tejkalohet kriza politike në vend.
Kolshi: Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme
“Duhet të presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë në bazë të meritave të rastit. Presim që fillimisht të vendosë një masë të përkohshme, mandej në ditët në vijim të presim një aktgjykim të Kushtetueses që do të na shpijë drejt tejkalimit të kësaj krize që jemi”, thotë ai.
Ndërkaq, ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë për KosovaPress se Kushtetuesja duhet të japë një përgjigje për ankesën e Listës Serbe, derisa shton se situata aktuale politike është e paprecedentë.
“Si qytetarë të Republikës së Kosovës ata kanë të drejtë që të bëjnë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kam parë kërkesën, por gjykata patjetër duhet të japë një përgjigje në kërkesën e tyre, qoftë e lejueshme apo e palejueshme…Ky rast është i paprecedentë, s’ka ndodhë më herët në praktikat parlamentare tonat dhe është për herë të parë. Në aspektin institucional jemi në një gjendje të pashpallur të jashtëzakonshme. Këto veprime ndodhin dhe këto mund t’i korrigjojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, deklaron ai.
Pas pesë muajsh dhe gjashtëdhjetë tentimesh, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe të formohet qeveria pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Kundërshtime për mbylljen e seancës konstituive kanë shprehur edhe partitë e tjera parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, Kuvendi nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari i legjislativit nga radhët e komunitetit serb.
Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së në Kryesinë e Kuvendit nuk morën pjesë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të thirrur nga kryeparlamentari Basha.
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani.
Osmani ka pasur një takim me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në fillim të kësaj jave. Pas takimit, përmes një kumtese për media nga zyra e të parës së shtetit, është thënë se ajo, bashkë me ekipin e saj ligjor, po analizojnë situatën në Kuvend që më pas të kenë një qëndrim.
Të tjera
Policia e Kosovës, simbol i shtetit tonë të pavarur
Policia nuk i la shans kr*imit e te*rrorizmit në veri
S’ka krizë e as kërcënim që e lëkund besimin tuaj ndaj Republikës