Shtetet e Bashkuara të Amerikës po monitorojnë nga afër veprimet e fundit të liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, dhe nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit të tij në listën e personave të sanksionuar nëse vlerësohet se sjellja e tij rrezikon stabilitetin në Bosnje dhe Hercegovinë.
Kështu kanë deklaruar për portalin Klix.ba nga Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, duke theksuar se Uashingtoni vazhdon të vëzhgojë veprimet e të gjithë aktorëve politikë në vend.
Zyrtarët amerikanë rikujtuan se Dodik dhe disa zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska ishin subjekt i sanksioneve amerikane për shkak të aktiviteteve që, sipas SHBA-së, cenonin stabilitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Këto masa u hoqën në tetor të vitit 2025, pasi autoritetet e Republikës Sërpska ndërmorën hapa për uljen e tensioneve dhe shfuqizuan ligjet që konsideroheshin jokushtetuese.
Megjithatë, muajt e fundit Dodik ka intensifikuar retorikën e tij kundër shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e vendit dhe duke përsëritur deklaratat për shkëputjen e Republikës Sërpska.
Ambasada e SHBA-së theksoi gjithashtu se po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë përpara zgjedhjes së Përfaqësuesit të ri të Lartë ndërkombëtar, proces që pritet të zhvillohet në mbledhjen e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) më 3 dhe 4 qershor.
Autoritetet amerikane ritheksuan se do të vazhdojnë të monitorojnë të gjitha partitë dhe liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe do të reagojnë ndaj çdo veprimi që mund të kontribuojë në destabilizimin e situatës në vend.



Të tjera
Gjilani i shpëton barazhit pas fitorës ndaj Prishtinës së Re
Kosova mposhtet nga Çekia
Interi në garë për talentin e Tottenhamit, Luka Vushkoviq