Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur keqardhje për vendimin e fundit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga 31 entitete të lidhura me organizatën, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm shpreh keqardhje për njoftimin e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me vendimin e SHBA-së për t’u tërhequr nga një numër entitetesh të OKB-së”, tha zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric.
Reagimi i OKB-së vjen pasi Shtëpia e Bardhë mbrëmë njoftoi nënshkrimin e një “memorandumi presidencial” nga presidenti Trump, që udhëzonte agjencitë qeveritare të tërhiqen nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat administrata argumentoi se nuk po u shërbejnë më interesave amerikane.
“Siç e kemi theksuar vazhdimisht, kontributet e vlerësuara në buxhetin e rregullt të OKB-së dhe buxhetin e paqeruajtjes, siç janë miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, janë një detyrim ligjor sipas Kartës së OKB-së për të gjitha shtetet anëtare, përfshirë SHBA-në”, tha Dujarric.
Duke theksuar se “të gjitha subjektet e të OKB-së do të vazhdojnë me zbatimin e mandateve të tyre siç janë dhënë nga shtetet anëtare”, Guterres theksoi se OKB-ja “ka përgjegjësinë të ofrojë shërbime për ata që varen nga ne”.
“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë mandatet tona me vendosmëri”, shtoi ai.



Të tjera
Real Madrid merr fitoren ndaj Atletico në Superkupë, në finale e pret Barcelona
Super derbi në basketboll
Bajame për shëndetin e mëlçisë