Shoku Gjeneral!

Personalisht e njoh dhe kam punuar me gjeneralin (kemi mbaruar trajnim për komandant Brigade në Kukës, Kolsh, Kalimash me shumë kolegë të organizuar nga Ahmet Alishani, Kemajl Shaqiri etj.).

Kur flet se UÇK i ka komanduar forcat ajrore të NATO-s në vitin 1999, para se ta thotë këtë fjalë, i shan, i poshtëron, i ofendon me fjalë shumë të ndyera ata që mendojnë ndryshe, po edhe nëse janë luftëtarët e UÇK-së, thekson enkas! Ky fjalor nuk i takon një gjenerali dhe një burri siç je ti, shoku Gjeneral Kudusi Lama.

Beso mua, po më vjen keq kur të dëgjoj kur flet ashtu, sepse më kujtohen ligjërimet tua, sa i mbaje me ne, eprorët kosovarë, kur lotët më rridhnin nga gëzimi kur imagjinoja se i erdhi puna edhe një gjenerali i Shqipërisë të na ligjërojë neve, ushtarëve profesionistë kosovarë. Ishte e paimagjinueshme më herët!

Image

Kudusi Lame

Të pavërtetat duhet t’i thuash mikut në sy. E them këtë sepse nuk i kemi caktuar ne caqet e NATO-s për bombardime (por, po u kemi treguar pozicionet tona që të mos na bombardojnë!).

Dhe e kam thënë po ashtu, të pavërtetën tënde kur ke thënë se ke komanduar Agim Ramadanin, e që po e ceku edhe këtu, se nuk është e vërtetë.

Janë faktet që caqet që do të sulmoheshin në Serbi dhe Kosovë, forcat ajrore të NATO-s i kanë përgatitur 3 muaj para se të fillonin bombardimet. Këtë e thonë forcat e NATO-s dhe ato serbe! Pra, ne nuk i kemi komanduar forcat e NATO-s! Po t’i komandonim ne, me siguri nuk do t’i kishin bombarduar kolonat me civilë shqiptarë dhe karakollen e Koshares!

Pra, vetë e di dhe je i sigurt se do të ketë reagime në pavërtetësinë që thotë këtu dhe shpeshherë gjetiu.

Gjeneral, ti e di që UÇK është e shenjtë, ka bërë shumë më tepër se sa ti. Në fillim na besoje pasi nuk e njihje mirë armikun siç e njohim ne, prandaj u befasove me trimërinë, guximin dhe aftësinë tonë. E kuptoj gëzimin dhe respektin që ke për ne, UÇK-në. Në të njëjtën kohë e di mënyrën e jetës tënde që kishe ti para vitit 1998 dhe që ke tani, dhe dallimin mes teje dhe gjeneralëve të tjerë të Shqipërisë në aspektin ekonomik, material! (Nuk po hyj andej! S’ka nevojë!)

Pra, mjafton vetëm të thuash të vërtetat për UÇK-në. Nuk kemi nevojë as ti, si shumë të tjerë që i kanë dekoruar dhe ekzagjeruar (kështu po thonë vetë autorët) disa gjëra për UÇK-në në librat e tyre, sepse ato vetëm sa e dëmtojnë imazhin e UÇK-së!