Shpërndahen pajisje bujqësore për 28 fermere në Mitrovicë

Shpërndahen pajisje bujqësore për 28 fermere në Mitrovicë

Njëzet e tetë gra fermere në Mitrovicë kanë përfituar pajisje bujqësore në kuadër të një projekti të realizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), në partneritet me UN Women dhe të financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), përcjell KosovaPost.

Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve mori pjesë edhe kryetari i komunës, Faton Peci, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së grave në sektorin e bujqësisë.

Ai u shpreh se është kënaqësi të marrë pjesë në aktivitete që fuqizojnë gratë fermere dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.

“Kënaqësi të marr pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve për 28 gratë fermere nga organizata UN FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi) në partneritet me UN Women, financuar nga ADA (Agjencioni Austriak për Zhvillim)”, ka shkruar Peci.

Sipas tij, përfshirja e grave në bujqësi ka ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri dhe në zhvillimin e ekonomisë.

“Përfshirja e grave fermere në bujqësi e fuqizon rolin e gruas në shoqëri dhe ndikon drejtpërdrejt në ekonomi”, ka theksuar ai.

Peci paralajmëroi gjithashtu rritje të madhe të buxhetit për këtë sektor gjatë vitit të ardhshëm, duke theksuar se fokusi do të jetë në prodhimtari.