Pakica shqiptare në jug të Serbisë është nën presion. Autoritetet e vendit po fshijnë shqiptarët që ndodhen jashtë vendit nga regjistrat e popullsisë. Mijëra prej tyre po mbeten kështu pa shtetësi.
Kur Safet Demiri, në gusht të vitit 2019, deshi të rinovonte regjistrimin e makinave të tij të biznesit, i thanë: “Ju nuk jeni më në regjistrin e adresave.” Demiri është lindur në Medvegjë (Serbi) dhe familja e tij ka 200 vjet që jeton aty. Demiri ka disa prona në vendin e lindjes, ndër to një hotel turistik dhe një kompani telekomunikacioni. Por jeton edhe në Vjenë të Austrisë, ku ka një kompani ndërtimi. Që nga viti 2019, atij i mohohet e drejta e një adrese në Medvegjë. “Si mund të kujdesem për bizneset e mia, pa adresë?” i tha Demiri nëpunësit. Si përgjigje ai mori një ngritje supesh.
46-vjeçarit iu desh të gjente një zgjidhje të përkohshme dhe e bëri regjistrimin në emër të të jatit. Ai u përpoq ta kërkonte të drejtën e tij duke e kundërshtuar vendimin në Gjykatën Administrative të Nishit, por pa sukses. “Vendbanimi juaj është jashtë shtetit, kështu që fshirja nga regjistri ka qenë e drejtë” – ishte arsyetimi zyrtar. “Nuk kemi ç’të bëjmë,” i kishin thënë më pas në gjykatë, “është vendim nga lart.”
Shkaku i çregjistrimit të Demirit është se ai është shqiptar, thotë studiuesja Flora Ferati-Sachsenmaier nga Universiteti i Göttingenit. Ajo vetë është me prejardhje nga Medvegja dhe në vitin 2023 publikoi një hulumtim për Institutin Max-Planck. Temën e zbuloi krejt rastësisht, në vitin 2016, kur ishte në Medvegjë për një projekt tjetër. “Çdo i dyti shqiptar me të cilin flisja, më thoshte ‘po na çregjistrojnë’,” kujton Ferati për DW. Në studim ajo do të zbulonte se çregjistrimi bëhej në mënyrë sistematike.
Autoritetet serbe e quajnë këtë çregjistrim “pasivizim”. “Nëse konstatojnë se dikush nuk jeton më në adresën e regjistruar, personi fshihet nga regjistri i adresave,” shpjegon Ferati. Por prej kësaj janë prekur edhe njerëz që janë me pushime ose udhëtime të shkurtra jashtë. Riregjistrimi zakonisht nuk është i mundur. Fshirja ka pasoja të rënda për të prekurit. Ata nuk kanë qasje në shërbimet publike, nuk mund të bëjnë pasaportë, ose të marrin shërbime shëndetësore.
Zvogëlimi i numrit të shqiptarëve si synim
Synimi është zvogëlimi i numrit të shqiptarëve në Serbinë e Jugut. Shifrat e studimit Max-Planck flasin vetë: “Ndërsa në Luginën e Preshevës numri i adresave të pasivizuara përfshin gati 10 për qind të popullsisë, në pjesë të tjera të Serbisë numri i pasivizimeve prek shumë më pak se një për qind të banorëve të komunave,” thotë Ferati-Sachsenmaier.
Çregjistrimi është problem sidomos për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, thotë Enver Haziri, i cili drejton në Gjilan një zyrë që merret enkas me nevojat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shumica e tyre janë përndjekur nga fshatrat e tyre në qershor 1999 kur forcat serbe, të zbrapsura nga forcat e NATO-s, e shfrynë mllefin te pakica shqiptare në jug të Serbisë.
Në Kosovë këta të përndjekur janë të mirëseardhur moralisht, por nuk kanë asnjë lloj dokumenti zyrtar, thotë Haziri. Për shkak të pasivizimit, ata bëhen faktikisht pa shtetësi dhe nuk kanë mundësi të marrin pjesë në jetën shoqërore as të Serbisë e as të Kosovës. Vetëm qeveria e tanishme e Kurtit ka nisur ta marrë seriozisht fatin e pakicës dhe ka vendosur t’i pajisë me leje qëndrimi.
Të tjera
Gjykata Speciale: Haxhi Shala dënohet me tri vjet burgim, Januzin dhe Bahtijarin me nga dy vjet
Xheneta: Jam e lënduar, ndjenjat e Gjestit nuk kanë qenë të sinqerta – nuk do të hyj e as nuk do të përballem me të në Big Brother Albania
Xheneta Fetahu thyen heshtjen, flet për herë të parë pas daljes nga Big Brother: Kam qenë e vërtetë, edhe pse kam bërë gabime