Sinjal i qartë për Pacollin: “Mos u bë pjesë e lojës së Ramës”

Sa herë e kam kritikuar Behgjet Pacollin, kjo ka ndodhur për shkak të lidhjeve të tij me Edi Ramën dhe figura si ai, si dhe për shkak se Pacolli e pati quajtur kryeministrin aktual të Shqipërisë si “Kryeministrin më të mirë të të gjitha kohëve”! Si biznesmen do ta mirëkuptoja zotin Pacolli t’i bënte levdata çdo kryeministri. Biznesmenët janë pragmatistë, kanë interesa të biznesit dhe së paku nuk duan të përballen me asnjë lloj pushteti. Por të jesh luajal e të bësh kompromis me një kryeministër si Edi Rama, nuk do të thotë që ta mburrësh atë e ta nxitësh në veprat e tij kriminale kundër popullit të vet.

Behgjet Pacolli u bë njësh me Edi Ramën. I shoshte “vëllai im”! Ndonëse ai nuk e ka gjak kryeministrin e Shqipërisë, i cili sipas Frrok Çupit njëherë ishte “injorant”. Ndërsa sot thotë si Rama “kishte një gjyshe veneciane”! E vërteta është se Edi Rama së paku është gjysmë vllah. Sami Frashëri i përshkruan vllahët si rreziku kryesor për shqiptarët e të pabesë. Megjithatë historia i dëshmoi të tillë serbët. Natyrisht nuk është fjala te ajo nëse Rama është ose jo vllah. Tirana e ka ditur gjithmonë se ai është njeri pa familje, pa themele tradite, pa pikë turpi dhe pikë përgjegjësie. E kur një njeri i tillë bëhet kryeministër, atëherë bëhet rrezik për kombin. Rama është bashkuar me djallin kundër familjes, kundër pronës, kundër shtetit, kundër lirisë njerëzore. E jo më kundër Behgjet Pacollit.

I thamë Pacollit mos “u bën vëlla me të pabesin”! Po nuk na dëgjoi. Kokëfortësia e Pacollit për të mos dëgjuar zërat tanë racionalë po ia ha kokën vetë atij. Po lexoj plot lajme që vijnë nga mediet më të afërta të kryeministrit dhe qeverisë shqiptare. Me shumë entuziazëm është njoftuar se “Behgjet Pacolli është vënë nën hetim për favorizim të interesave ruse në Shqipëri”! Eshtë interesant të shohësh se si Edi Rama i nis hetimet me kundërshtarët e tij përmes derës së Kremlinit. Të njëjtën gjë bëri me Lulzim Bashën. Madje me ndihmën e McGonigal, i dëshmuar si bashkëpunëtor i Rusisë. Tani e ka radhën Behgjet Pacolli.

Rama po i bën Pacollit presion që ai t’ia japë aksionet e aeroportit të Vlorës ortakëve të kryeministrit shqiptar dhe bandillëve të Belina Ballukut. Behgjeti u pa më 26 gusht të këtij viti në dyert e kryeministrisë shqiptare. E fotografuan dhe filmuan aty në gjendje dëshpërimi, për “ta diskredituar”! Kush? Ai kryeministri “më i mirë” i të gjitha kohëve! Si gjithnjë e si me të gjithë “miqtë e tij”, edhe Pacollin e përdori, e shfrytëzoi, i shkoi edhe në shtëpi në ceremoninë e “pajtimit” me Ramushin dhe në fund e hodhi! Sikur të ishte një leckë e ndotur. Madje e futi me premtime mashtruesish që të ndërtojë edhe disa banesa për familjet e dëmtuara prej tërmetit të vitit 2019.

Dardha e ka bishtin prapa. Por dardhat e Ballukut dhe të Ramës kanë mbrapa bishtra prej eurosh e dollarësh. Kryeministri dhe zëvendësja e tij këtu në Shqipëri kanë bërë shkollën e përtej djallit. Dhe Pacolli e nënvleftësoi këtë fakt. Ndaj dhe u përpoqëm ta ndihmojmë dhe iluminojmë, por mesa duket edhe këshilltarët e tij e kanë mësuar gabim. Ishin ata që ia mbushën mendjen top, se “vetëm me Edi Ramën bën hajër”! Dashtë zoti e shpëton Behgjet Pacollin nga gijotina e Edi Ramës. Por vështirë do ta ketë. Sado i shkathët dhe zgjuar të jetë, nuk ia kalon dot djajve të kuq!